Ministri i Jashtëm dyshohet se është përzier në një skandal
Skandal pas skandali, është zbuluar së fundi edhe dhënia e kundërligjshme e parcelës për ndërtimin e Universitetit Amerikan, në kohën derisa Ministria e Arsimit drejtohej nga ministri i atëhershëm Enver Hoxhaj, tani ministër i Jashtëm i Kosovës.
Analistët politikë konsiderojnë se duke qenë se bëhet fjalë për një figurë kyçe në politikë dhe në institucionet e shtetit, sikur në Kosovë të funksiononte mirëfilli një shtet ligjor, pas publikimit të këtij skandali nga ish- zyrtari i EULEX-i Andrea Capussella, ministri i Jashtëm Hoxhaj do të duhej të kishte dhënë dorëheqje të menjëhershme, e në rast se jo, atëherë do të duhej shkarkuar nga kryeministri Mustafa.
Adresimi i kësaj përgjegjësie duhet t\'i hapë rrugë për hetim edhe Prokurorisë së Shtetit, ngase bëhet fjalë për ndarje të jashtëligjshme pronash AUK-ut, duke dëmtuar kuletën e shtetit në vlerë mes 15 deri në 20 milionë euro.
Analisti politik Florim Zeqa thotë se derisa zbardhja e skandaleve të zyrtarëve të lartë qeveritar nuk ka të ndalur, dhe kësaj radhe kemi të bëjmë me skandalin e ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i cili ishte i përfshirë në një skandal për ndarje të jashtëligjshme pronash gjatë kohës sa ka qenë ministër i Arsimit, i ashtuquajturi skandali i AUK-ut, përgjegjësia është dashur të adresohet, mirëpo për ironi të fatit, në vend që të ndëshkohet ministri Hoxhaj për transferim të jashtëligjshëm të një parcele toke tek një universitet privat, Universiteti Amerikan në Kosovë, me ç\'rast kishte dëmtuar kuletën e shtetit në vlerë mes 15 deri në 20 milionë euro emërohet nga Qeveria e Kosovës, ish- kryeministri Thaçi, ministër i Punëve të Jashtme!
\"Emërimi i një njeriu të përfshirë në afera korruptive në postin më të lartë në diplomaci, përveçse akt skandaloz, është imazh i keq për Kosovën në botë. Skandalin në AUK e kishte bërë publik zyrtari Capussela, duke iu referuar një vendimi të EULEX-it të vitit 2010-2011. Heshtja nga ajo kohë e këtij skandali është bërë me qëllim të humbjes së gjurmëve edhe të shumë skandaleve të tjera të ministrit Hoxhaj, derisa ishte në krye të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Në këtë rast kemi të bëjmë pak më shumë se me heshtje! Gradimi i një ministri të korruptuar në një post akoma më të rëndësishëm të shtetit do të thotë amnistim i veprimeve të tij nga kreu i ekzekutivit\", ka thënë ai.
\"Rastet e tilla nuk duhet të heshten dhe as të amnistohen, por të ndëshkohen sipas ligjeve në fuqi. Mirëpo, për aq kohë sa të jenë në krye të qeverisjes së vendit kjo klasë politike,do të anashkalohen të gjitha rastet korruptive, derisa në krye të vendit të vijë një klasë e përgjegjshme politike\", theksoi Zeqa.
/Kosova Sot/