Ministri Hyseni udhëton për në Nju Jork
Përmes një letre drejtuar kryesuesit të radhës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Ministri Hyseni ka kërkuar që të marrë pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, për të shprehur pikëpamjet e Republikës së Kosovës. Mbledhja e Këshillit është caktuar për të martën, me fillim në ora 10 të paradites sipas kohës së Nju Jorkut.
Gjatë qëndrimit të tij në Krakow të Polonisë, me rastin e Takimit të Nivelit të Lartë të Komunitetit të Demokracive, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, ka zhvilluar takime të shumta me pjesëmarrës të vendeve të ndryshme, ku ka folur për zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe për proceset pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Në takimet me përfaqësuesit e shteteve që nuk e kanë njohur ende Republikën e Kosovës, Ministri Hyseni ka ripërsëritur kërkesën për njohje, duke theksuar midis tjerash se, pavarësia e Kosovës e ka stabilizuar përfundimisht rajonin e Ballkanit Perëndimor.