Ministri Hyseni po qëndron në Britani të Madhe
Prishtinë, 22 mars - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni po qëndron në Britani të Madhe për një vizitë zyrtare dyditore.
Ditën e nesërme (e martë) ministri Hyseni do të pritet në takime nga sekretari i jashtëm britanik David Miliband si dhe nga ministri për Evropë në Foreing Office Kris Brajant (Chris Bryant).
Gjatë qëndrimit të tij në Londër, ministri Hyseni po ashtu, do të mbajë një ligjëratë në Institutin prestigjoz ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS) ku do të flasë kryesisht për arritjet dhe progresin e Kosovës në dy vitet e pavarësisë.
Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Londër, ministri Hyseni, po ashtu do të ketë takime edhe me përfaqësues diplomatikë nga vende të ndryshme të botës, të akredituar në Londër.