07 Maj 2024

Ministri Hyseni kërkon njohjen e Kosovës nga shtetet e Karaibeve

New York, 25 shtator - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, takoi dje në New York Ministrin e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Dominikës, Alvin Bernard.

Ky takim është zhvilluar në vazhdën e takimeve dhe të komunikimeve intensive me përfaqësues të shteteve të Komunitetit të Karaibeve (CARICOM), dhe në përpjekje për të bindur shtetet që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, ta bëjnë këtë sa më parë.

Në këtë takim, Ministri Hyseni ka rikujtuar rrethanat e jashtëzakonshme dhe të veçanta që kanë çuar deri në krijimin e shtetit të Kosovës, por ka folur edhe për përparimin që shteti më i ri në botë ka bërë në dimensione të rëndësishme të konsolidimit të tij të brendshëm dhe ndërkombëtar që nga shpallja e pavarësisë.

Në veçanti, Ministri është ndalur te zhvillimet më të fundit rreth Kosovës. Në këtë kontekst, ka trajtuar përmbajtjen dhe rëndësinë e mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, si dhe rezolutën e 9 shtatorit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara përkitazi me këtë Mendim.

Për sa i përket Mendimit të Gjykatës, Ministri Hyseni është shprehur se, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka folur qartë më 22 korrik, duke hequr çfarëdo dyshimi në ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, pasi në të gjitha pikat ka vendosur në favor të Kosovës.

Për rrjedhojë, së fundi, edhe Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka mirëpritur Mendimin e Gjykatës. Në këtë mënyrë, Ministri Hyseni i ka bërë thirrje Qeverisë së Dominikës që të shqyrtojë marrjen sa më parë të një vendimi për njohjen e Republikës së Kosovës.

Nga ana e tij, Ministri i Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Dominikës, Alvin Bernard, e ka siguruar Ministrin Hyseni se, Qeveria e tij do t’i kushtojë vëmendjen e merituar kërkesës për njohje dhe se, në kohën e duhur, do të merret vendimi, ndërsa është shprehur se, “prania jonë në takim është një tregues për kërkesën tuaj”.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)