Ministri Hoxhaj viziton Arabinë Saudite
Prishtinë, 6 maj - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, me 7 dhe 8 maj do të qëndroj në vizitë zyrtare në Mbretërinë e Arabisë Saudite.
Gjatë dy ditëve të qëndrimit në Riad, Ministri Hoxhaj do të takohet me Ministrin e Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite Princin Saud Al-Faisal, me zyrtarë të tjerë të lartë të këtij shteti si dhe me përfaqësues diplomatik të vendeve të ndryshme të akredituara në Arabinë Saudite.
Ministri Hoxhaj do të njoftoj përfaqësuesit e lartë sauditë dhe të shteteve të tjera arabe për progresin e arritur në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë e deri më tani, si dhe me zhvillimet në të cilat po kalon Republika e Kosovës.
Ministri Hoxhaj do të rikonfirmoi përkushtimin e institucioneve dhe popullit të Republikës së Kosovës për të vendosur dhe forcuar lidhjet e gjithanshme mes popullit të Kosovës dhe popujve të vendeve arabe.
Vizita zyrtare e Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës në Arabinë Saudite, pritet të ketë efekte të rëndësishme në forcimin e subjektivitetit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke pasur parasysh rolin e rëndësishëm të Arabisë Saudite në proceset politike dhe diplomatike në botën arabe.