Ministri Hoxhaj vizitë zyrtare në Kanada

Prishtinë, 22 korrik - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka udhëtuar për një vizitë zyrtare në Kanada, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Kanadasë, John Baird.
Gjatë qëndrimit në Otava, ministri Hoxhaj përveç takimit me homologun Baird do të zhvillojë takime edhe me udhëheqës të tjerë të lartë të shtetit kanadez.
Ministri Hoxhaj dhe ministri Baird do të bisedojnë për fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral dhe shkëmbimeve ndërmjet dy shteteve, si dhe për përkrahjen e Kanadasë në proceset integruese euroatlantike të Kosovës.
Vizita e ministrit Hoxhaj pritet të ketë rezultate konkrete në forcimin e bashkëpunimit dhe të shkëmbimeve ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë.