Ministri Hoxhaj vizitë zyrtare në Finlandë
Prishtinë, 26 tetor - Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Finlandës, Erkki Tuomioja, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj , i shoqëruar nga Zëvendësministri i Jashtëm, Ibrahim Gashi, kanë udhëtuar sot (e mërkure) për një vizitë zyrtare në Finlandë.
Ministri Hoxhaj dhe Zëvendësministri Gashi, të enjten, do të takohen me Ministrin e Jashtëm të Finlandës, Erkki Tuomioja si dhe me Kryetarin e Parlamentit Finlandez, Eero Heinäluoma.
Gjatë takimit me Ministrin Tuomioja, do të diskutohet për marrëdhëniet bilaterale, forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës si dhe avancimin e perspektivës së Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Ministri Hoxhaj, po ashtu do të takohet me Nënsekretaren e Shtetit finlandez, Anne Sipiläinen, e cila është përgjegjëse për bashkëpunimin dhe zhvillim të politikave.
Finlanda e konsideron Kosovën shtetin më të rëndësishëm partner në Ballkanin Perëndimor, në aspektin e proceseve të zhvillimit dhe kooperimit.
Ministri Hoxhaj do të mbajë edhe një ligjëratë në Universitetin e Helsinkit, me titull Rruga e Kosovës drejt BE-së.