Ministri Hoxhaj shkarkon Ahmetin
Prishtinë, 30 korrik - Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka marrë vendim për kthimin e menjëhershëm në Prishtinë të të ngarkuarit me punë në Ambasadën e Kosovës në Malin e Zi, Xhafer Ahmeti, pas komenteve të tij në rrjetin social të cilat nuk korrespondojnë me rregullat diplomatike dhe sjelljet e një diplomati.
Në komunikatën e lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme thuhet se komentet e Xhaferit nuk paraqesin qëndrimet e institucioneve të Kosovës.
Ministri Hoxhaj personalisht dhe i tërë populli i Kosovës i janë mirënjohës ishkryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, për kontributin e tij të madh për Kosovën`, thuhet në komunikatë.
Ambasadori i Kosovës në Malin e Zi, Xhafer Ahmeti, sot kishte shkaktuar një skandal diplomatik, pasi ka fyer ishkryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, duke e quajtur atë psikopat dhe e ka shtruar pyetjen se si mundet që një pjesë e popullit të Kosovës ta duan atë. Kjo ka ndikuar që ministri Hoxhaj të marrë vendim për shkarkimin e Ahmetit nga pozita e të ngarkuarit me punë në Malin e Zi.