Ministri Hoxhaj priti homologun e tij suedez, Carl Bildt
Prishtinë, 8 nëntor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj priti sot në një takim ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, Carl Bildt, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë.
Me këtë rast, ministri Hoxhaj falënderoi homologun e tij suedez për ndihmën që Suedia i ka ofruar Kosovës para dhe pas pavarësisë, duke vlerësuar lartë marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve.
Dy ministrat kanë biseduar për tri ēështje kryesore, për thellimin e marrëdhënieve bilaterale, për integrimet euroatlantike të Republikës së Kosovës si dhe situatën në veri të vendit.
Duke folur për veriun e Kosovës, dy ministrat u pajtuan që ndryshimi i kufijve në Ballkan është një kapitull i mbyllur. Ministrat Hoxhaj dhe Bildt theksuan nevojën dhe rëndësinë e perspektivës evropiane të Republikës së Kosovës, konkretisht se si Suedia ta ndihmojë Kosovën në procesin e dialogut për liberalizimin e vizave.
Ministri Hoxhaj po ashtu kërkoi ndihmën nga homologu i tij për mbështetjen e Suedisë në ndërtimin e marrëdhënieve kontraktuale në mes të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të Bashkimit Evropian.