Ministri Hoxhaj merr përkrahje nga homologu i tij hungarez
Prishtinë, 24 mars - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj priti sot në një takim Ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Lorant Balla.
Me këtë rast, Ambasadori Balla përgëzoi Ministrin Hoxhaj për zgjedhjen e tij në postin e Ministrit të Punëve të Jashtme.
Ai po ashtu përcolli përgëzimet edhe të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Hungarisë, János Martonyi.
Është një kënaqësi e madhe për mua që marrëdhëniet e nivelit të lartë ndërmjet Hungarisë dhe Kosovës po zhvillohen në mënyrë të jashtëzakonshme që nga shpallja e pavarësisë tri vjet më parë."
"Është bindja ime se kultivimi i marrëdhënieve të mira do të sjellë përparësi të mëtejshme për vendet tona, kështu që unë jam i gatshëm të kontribuoj për thellimin e këtyre raporteve. Hungaria e mbështet shtetësinë e Kosovës dhe të ardhmen e saj evropiane. Ju mund të llogarisni në mbështetjen e diplomacisë hungareze në realizimin e aspiratave tuaja euroatlantike, thuhet në letrën e Ministrit të Jashtëm të Hungarisë dërguar ministrit Hoxhaj.