27 Prill 2024

Ministri Hoxhaj merr mbështetje nga Kongresi amerikan

Washinton, 9 shkurt - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, po vazhdon vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas takimeve me shumë diplomatë në New York dhe pjesëmarrjes së suksesshme në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Ministri Hoxhaj ka udhëtuar në Washington ku po zhvillon takime me përfaqësues të Kongresit të SHBA-ve dhe diplomatë e zyrtarë të tjerë të lartë shtetëror të administratës amerikane.

Ministri Hoxhaj është takuar edhe me përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, në kuadër të lobimit permanent për të rritur numrin e njohjeve për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.

Gjatë vizitës në Washington, Ministri Hoxhaj ka zhvilluar takime të ndara me disa kongresmenë amerikanë.

Në takimin me kongresmenin Eliot Engel, Ministri Hoxhaj e ka falënderuar atë për mbështetjen e vazhdueshme që po i jep Kosovës në periudha të ndryshme kohore.

Nga ana tjetër, kongresmeni Eliot Engel, ka thënë se edhe më tutje do të angazhohet personalisht për të siguruar njohje të reja për Republikën e Kosovës.

Engel po ashtu ka siguruar Ministrin Hoxhaj se do të punoj intensivisht për konsolidimin e shtetësisë së brendshme në tërë territorin e Kosovës.

Ai ka bërë thirrje që sa më parë të shpërbëhen strukturat ilegale të shtetit serb në veri.

“Situata në veri të vendit, për SHBA-në është e papranueshme dhe e patolerueshme”, ka shtuar kongresmeni Engel.

Ndërsa, kongresmeni amerikan Adam Smith ka siguruar Ministrin Hoxhaj se SHBA-të edhe më tutje do të jenë prezentë në Kosovë.

“Ne mbështesim fuqishëm praninë e trupave ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë”, ka thënë kongresmeni Smith.

Derisa në takimin tjetër me kongresmenin Gary Peters, është folur për thellimin e marrëdhënieve bilaterale mes SHBA-ve dhe Republikës së Kosovës.

Nga ana tjetër, Ministri Hoxhaj ka thënë se mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën, ka sjell siguri, paqe dhe stabilitet në rajon.

“Populli i Kosovës do të jetë gjithmonë mirënjohës për rolin e SHBA-ve në arritjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, ka shtuar Ministri Hoxhaj.

Kongresmenët amerikanë edhe njëherë kanë rikonfirmuar mbështetjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetësisë së Kosovës.

Ministri Hoxhaj do të ketë edhe takime tjera me përfaqësues politik dhe të jetës publike në Washington.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)