Ministri Hoxha punëson nipa e mbesa
Prishtinë, 12 tetor - Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, rrallë mund të përmallohet për të afërmit e tij. Këtë ndjenjë ai do ta ketë të paktën deri në përfundimin e mandatit të tij si kryediplomat i Kosovës.
Mungesën e kohës për t’i vizituar familjarët dhe të afërmit e tij, ministri Hoxhaj ka vendosur që ta zëvendësojë me një zgjedhje “adekuate” – vende pune për nipa e mbesa.
Ai nuk është ndalur vetëm tek të afërmit e tij. Kryediplomati kosovar duket se është shumë i afërt edhe me familjarët e “dorës së dytë”, për të cilët gjithashtu ka gjetur nga një vend pune në dikasterin që e drejton.
Burimet e gazetës brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme thonë se shefi i kabinetit të ministrit Hoxhaj, Valon Berisha, është nip i ministrit. Përveç nipit të Enver Hoxhajt, një vend pune në MPJ është gjetur edhe për mbesën Leurata Berisha, e cila te “daja Enver” punon si asistente ekzekutive.
Familjarizimi në Ministrinë e Jashtme nuk përfundon me kaq. Derisa për shofer personal ministri Hoxhaj ka zgjedhur Ilir Berishën, që është kushëriri i nipit të tij (Valon Berisha), këtij të fundit ia ka punësuar edhe nipin, Naim Jollxhiu, i cili mban pozitën e zyrtarit të sigurisë.
Mirëpo, zyrtarë të kësaj ministrie kanë mohuar një gjë të tillë. Artan Behrami, këshilltar për media i ministrit të Jashtëm Enver Hoxhaj, i ka mohuar të gjitha akuzat, duke thënë se emrat në fjalë nuk janë familjarë të ministrit, shkruan Zëri në numrin e sotëm.