22 Janar 2025

Ministri Agani dhe Ambasadori Minxhozi vizitojnë Gjakovën

Prishtinë, më 4 nëntor - Kryetarja e Komunës Mimoza Kusari- Lila, sot ka pritur për vizitë pune Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës, Ferid Agani dhe Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi.

Sipas kryetares Kusari-Lila, takimi i sotëm me dy personalitete të larta shtetërore është karakterizuar me një diskutim e analizë të thellë për projektet zhvillimore ndërkufitare.

“Është  diskutuar dhe analizuar mundësia për gjetjen e një rruge më të shkurtër të realizimit të këtyre projekteve dhe falënderoj ministrin Agani për përkrahjen e Gjakovës në disa projekte, si asistenca dhe mbështetja e kësaj Ministrie në Qeverinë e Kosovës për shpronësimin e pronave private për ndërtimin e rreth rrotullimit, pastaj efikasiteti në përgatitjen e lejes  mjedisore për ujin e pijes në fshatrat e Rekës së Keqe, dhe përkrahje tjera në vazhdim që kanë karakter zhvillimor ndërkufitar”.

Kryetarja Kusari- Lila, me këtë rast ka falënderuar edhe Ambasadorin Minxhozi që ishte promotor i avancimit të identifikimit të projekteve me karakter ndërkufitar, dhe se Gjakova është shenjëzuar si qendër kryesore për qytetarët andej e këndej kufirit.

Ministri Ferid Agani ka theksuar se takimi i sotëm me kryetaren e Gjakovës Kusari-Lila, ka për qëllim të identifikojmë nevojat që duhet përmbushur në këtë komunë. Agani ka folur edhe për grupet e punës të cilat janë ngritur nga ana e dy ministrive.

“Grupet punuese kanë zhvilluar një aktivitet sistematik duke punuar së bashku në këtë periudhë nëntëmujore dhe kanë dalë para nesh me 4 projekte konkrete të bashkëpunimit ndërkufitar të cilat konkretizojnë bashkëpunimin e komunave të Gjakovës dhe Prizrenit në anën e Republikës së Kosovë me bashkitë e Hasit, Kukësit dhe Tropojës në Republikën e Shqipërisë”, tha ministri Agani.

Ai sqaroi se bëhet fjalë për projekte të cilat parashohin bashkëpunim në fushën e turizmit, zhvillimit ekonomik, shfrytëzimin e resurseve natyrore, krijimin e një brezi të gjelbër ku do të ndërtohen staza shëtitore, një shteg për çiklistë dhe përmbajtje të tjera turistike.  

“Më tutje, parashihet ndërtimi i infrastrukturës rrugore që do të lidhin fshatrat në këto zona, duke e përmirësuar cilësinë e jetesës, duke e përmirësuar qasjen në shërbime arsimore, shëndetësore, duke e shtuar kohezionin social të komuniteteve që jetojnë në të dy anët e kufirit, pra duke krijuar perspektiva të reja të zhvillimit ekonomik, posaçërisht në fushën e turizmit”, theksoi ministri Agani.

Ministri ka thënë se së shpejti do të shpallet konkursi publik për këto projekte të cilat do të shpërblehen fituesit e tri vendeve të para për projektin më të mirë. Kjo do të mundëson që të rinjtë të jenë të rrethuar me ide të përbashkëta dhe në këtë formë do të aktivizohet edhe mbështetja e agjencive ndërkombëtarë.

Nga ana tjetër, ambasadori Qemajl Minixhozi ka shtuar se më e rëndësishmja është që të analizojmë se si të gjemë një rrugë  më të shkurtër për realizimin sa më të shpejtë të projekteve zhvillimore ndërkufitare sepse resurset turistike janë të shumta në këtë zonë por janë të fjetura.

“Tani nuk është më rëndësi se në cilën hapësirë realizohen projekte, por me rëndësi është që projektet të shfrytëzohen nga banorët e asaj dhe kësaj ane të kufirit”.

Më tutje, delegacioni nga Ministria dhe Ambasada e Shqipërisë bashkë me ekipin nga Komuna e Gjakovës kanë vizituar në terren pjesët kryesore ku do të realizohen këto projekte.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)