Miletiç, kryesuesi i ri i Këshillit Konsultativ për Komunitete
Prishtinë, 24 mars - Sot u mbajt mbledhja e Këshillit Konsultativ për Komunitete, në të cilën Petar Miletiç, nga Partia Liberale Serbe u zgjodh kryetari i tij për mandatin e ardhshëm njëvjeçar.
Menjëherë pas zgjedhjes, Kryesuesi i porsazgjedhur i Këshillit Konsultativ për Komunitete, Miletiç foli për objektivat kryesore të tij në udhëheqjen e Këshillit.
“Do të përpiqen që t’i përfaqësoj të gjitha bashkësitë të cilat janë të përfaqësuara në Këshillin Konsultativ. Besoj se do të përmbushim të gjitha pritjet e atyre që kanë votuar për mua dhe mendoj se me një punë kualitative do të arrijmë t’i ndihmojmë Presidentit të Kosovës, z. Sejdiu, në mënyrë që sa më mirë t’i përfaqësojmë interesat e komuniteteve në Kosovë”, theksoi Miletiç.
Ai gjithashtu tha se para Këshillit ka shumë punë në mbrojtjen e interesave të komuniteteve, që nganjëherë nuk janë të përfaqësuara mirë, dhe se Këshilli Konsultativ për Komunitete është vendi ku ne mund të shtrojmë problemet dhe brengat tona dhe së bashku me institucionet e Kosovës t’i zgjedhim ato.
Në takimin e sotëm u zgjodhën edhe dy Zëvendëskryesuesit e Këshillit, Cerim Bajrami nga komuniteti boshnjak dhe Kujtim Paçaku nga komuniteti rom.
Gjithashtu në takimin e sotëm u formua Grupi punues për adresimin e çështjeve të komuniteteve në strategjinë legjislative për vitin 2010, si dhe grupi për adresimin e çështjeve të arsimit.