Mikl-Leitner: Nuk ka azil për qytetarët e Kosovës në Austri
Prishtinë, 20 shkurt - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim Ministren për Punë të Brendshme të Republikës së Austrisë, zonjën Johanna Mikl-Leitner.
Presidentja Jahjaga me ministren Mikl-Leitner bisedoi për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Republikës së Austrisë, me theks në bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të sigurisë të të dyja vendeve dhe anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare të sigurisë.
Presidentja Jahjaga theksoi se prioritet për institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës është sundimi i rendit dhe ligjit, luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit, si dhe zhvillimi ekonomik i vendit. Ajo theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit dhe vazhdimin e mbështetjes për institucionet e Kosovës në procesin e reformave të nevojshme në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Presidentja Jahjaga tha se qytetarët e Kosovës duhet të kenë perspektivë të qartë evropiane sepse një gjë e tillë është jo vetëm në interes të Kosovës por edhe të rajonit.
Presidentja Jahjaga me ministren Mikl-Leitner biseduan edhe për migrimin ilegal të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së, konkretisht në Austri, dhe u pajtuan se duhet angazhim i qeverive të të dyja vendeve.
Ministrja për Punë të Brendshme e Republikës së Austrisë zonja Johanna Mikl-Leitner, shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Austrisë për të thelluar bashkëpunimin dhe për të vazhduar mbështetjen për institucionet e Kosovës në të gjitha fushat me interes dypalësh.
Ministrja theksoi se qëndrimi i qeverisë së Austrisë është shumë i qartë, Kosova është vend i sigurt dhe nuk ka azil për qytetarët e Kosovës në Austri.