Mesiq: E ardhmja e Kosovës do të jetë në Bashkimin Evropian
Prishtinë, 19 korrik - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, u takua sot me ish-presidentin e Kroacisë, Stjepan Mesiq, i cili e falënderoi kryetarin e Kuvendit të Kosovës, për pritjen e përzemërt që iu rezervua.
Mesiq mes tjerash theksoi se e ardhmja e Kosovës do të jetë në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, ai tha se hapja e kufijve dhe lëvizja e lirë do të shuajë çdo motiv për luftëra të reja në rajon.
Evropa e bashkuar, nëse i bashkon të gjitha resurset e saja, do të luajë një rol të shumë të rëndësishëm për paqen dhe zhvillimin botëror, theksoi gjatë këtij takimi ish-presidenti i Kroacisë, z. Stjepan Mesiq.
Kryekuvendari Krasniqi e falënderoi z. Mesiq për kontributin e madh që ka dhënë ai dhe shteti i tij, si dhe për njohjen e shtetit të Kosovës.
Na vjen mirë që Kroacia tanimë është anëtare e NATO-s. Gjithashtu Kroacia është në prag të futjes në BE, tha me këtë rast Krasniqi.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi po ashtu shprehi mirënjohje të thellë për mbështetjen që ka i dhënë Kosovës shteti i Kroacisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Gjatë këtij takimi kryeparlamentari Krasniqi njoftoi ish-presidentin kroat edhe për situatën politike në të cilën po kalon Kosova dhe theksoi se rendi dhe ligji duhet të sundojë në Kosovë.