28 Dhjetor 2024

Merkel: Statusi i Kosovës i vendosur një herë e përgjithmonë

Berlin, 6 maj 2010. – Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel shprehu edhe një herë gatishmërinë e shtetit të saj për të ndihmuar Republikën e Kosovës në të gjitha fushat. Këtë përkushtim ajo e bëri të qartë gjatë një takimi që zhvilloi sot me Presidentin e Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në shtetin gjerman.

Presidenti Sejdiu është shoqëruar në takim nga ministrat Skender Hyseni, Ahmet Shala e Lutfi Zharku, si dhe nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Berlin, z. Vilson Mirdita.

Kancelarja Merkel theksoi se integriteti terrirorial i Kosovës është i pacenueshëm. \"Ne kurrë nuk do ta pranojmë ndarjen e Kosovës\", tha ajo.

\"Çështja e statusit të Kosovës është e vendosur një herë e përgjithmonë dhe këtë ia kemi thënë edhe Serbisë\", tha më tej Kancelarja Merkel, duke shtuar se \"Kosova është guri i fundit i një rendi të ri në Ballkan\".

Kancelarja Merkel përkujtoi gjithashtu se Gjermania është aktive edhe në planin e sigurimit të njohjeve të reja të Republikës së Kosovës.

Kemi interes të përbashkët që Kosova të zhvillohet, tha zonja Merkel. Duke përkujtuar në këtë plan marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Gjermanisë, ajo shprehu edhe një herë përkushtimin e shtetit të saj për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës, por edhe në fusha të tjera.

Presidenti Sejdiu tha në takimin me zonjën Merkel se Kosova i është gjithnjë falënderuese Gjermanisë për përkrahjen që ky shtet i ka dhënë vendit tonë në vazhdimësi.

Ai kërkoi nga Kancelarja Merkel dhe drejtuesit e tjerë gjermanë që të inkurajojnë investitorët gjermanë që të investojnë në Kosovë, duke ndikuar kështu drejtpërdrejt në rritjen e nivelit të bashkëpunimit ekonomik mes të dy vendeve, por edhe për të rritur edhe më tej shkallën e zhvillimit ekonomik të vendit tonë, që ka edhe më tej një shkallë të lartë të papunësisë, sidomos tek të rinjtë. Ai theksoi se Kosova ka një potencial të madh të forcës së re dhe të kualifikuar profesionalisht dhe kërkoi njëkohësisht krijimin e mundësive për punësim sezonal të punëtorëve nga Kosova në Gjermani dhe në vende të tjera të zhvilluara perëndimore.

Presidenti Sejdiu përkujtoi edhe një herë se nuk janë realizuar skenarët e kundërshtarëve të pavarësisë që shpreheshin se Kosova e pavarur do të jetë vend jostabil. Njohjet e reja të shtetit të Kosovës, zhvillimi i institucioneve të vendit dhe periudha e kaluar më shumë se dy vjet nga shpallja e pavarësisë së vendit kanë dëshmuar krejtësisht të kundërtën e këtyre skenarëve.

Ai përkujtoi se Kosova ka marrëdhënie shumë të mira me të gjitha vendet fqinje, përveç Serbisë, e cila vazhdon me obstruksione dhe ende refuzon ta njohë realitetin e ri të krijuar me shtetin e Kosovës, si dhe nxit pjesëtarët e komunitetit serb që të mos e njohin këtë realitet, duke i financuar njëkohësisht edhe strukturat paralele në vend.

Presidenti Sejdiu foli edhe për integrimin e pakicave në shoqërinë kosovare, duke theksuar se në zgjedhjet e fundit lokale kanë marrë pjesë edhe një pjesë e pjesëtarëve të komunitetit serb, të cilët kanë garuar dhe kanë marrë qeverisjen në tri komuna, ndërsa gjatë qershorit ata do të marrin pjesë edhe në zgjedhjet në një komunë të re me shumicë serbe.

Presidenti Sejdiu ka folur në takim edhe për vazhdimin e prezencës ndërkombëtare në vendin tonë, sidomos të KFOR-it. Ai ka theksuar se reduktimi i kësaj trupe duhet të bëhet paralelisht me ngritjen e profesionalitetit të Forcës së Sigurisë të Kosovës si dhe në harmoni me stabilitetin në vend.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)