26 Dhjetor 2024

Merkel rikonfirmon mbështetjen për liberalizimin e vizave për Kosovën

Prishtinë 17 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar takim virtual me Kancelaren e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel.

Ai e ka falënderuar kancelaren për takimin dhe letrën e urimit, me rastin e zgjedhjes kryeministër, si edhe për përkrahjen e vazhdueshme për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj.

Kancelarja e uroi kryeministrin për fitoren plebishitare dhe i dëshiroi suksese në qeverisje. Ajo shprehu mbështetje për programin e Qeverisë për drejtësi dhe punësim.

Duke vënë në spikamë marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, kancelarja nënvizoi projektin e Parkut për Inovacion dhe Trajnim në Prizren, si mundësi për zhvillimin e bizneseve.

Kancelarja Merkel përgëzoi kryeministrin Kurti për menaxhim të mirë të situatës me pandeminë në këto javë të qeverisjes dhe shprehu gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në sigurimin e më shumë vaksinave.

Kryeministri konfirmoi përkushtimin për realizimin e planeve për reforma në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe angazhimin për tërheqjen e investimeve, të cilat krijojnë vende të reja të punës.

Ai tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është e gatshme për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, sidomos nëpërmjet investimeve të përbashkëta të afaristëve gjermanë dhe mërgatës së madhe shqiptare që jeton në Gjermani.

Në diskutimet për mërgatën e Kosovës në Gjermani, kancelarja theksoi se është duke shikuar me vëmendjen e duhur çështjen e njohjes së patentë-shoferëve të Kosovës.

Lidhur me dialogun me Serbinë, kryeministri Kurti përsëriti se duhet të jetë dialog mes dy palëve të barabarta, që zgjidhë kontestet mes dy shteteve e që normalizon marrëdhëniet ndërmjet tyre.

Kryeministri dhe kancelarja u pajtuan që procesi i dialogut duhet të jetë i drejtë, i ndërtuar mbi mirëbesim dhe se rezultati i dialogut duhet të jetë njohja reciproke.

Pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj territorial nuk mund të jenë temë e bisedimeve dhe nuk mund të kthehemi në kohën para vitit 2008, shtoi kryeministri Kurti.

Ata biseduan edhe për Procesin e Berlinit dhe rëndësinë e tij në nxitjen e bashkëpunimit rajonal.

Në pritje të Samitit të Berlinit, që pritet të mbahet në fillim të korrikut, kryeministri Kurti theksoi se rajoni ka nevojë për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar, por jo për projekte si zëvendësim i BE-së.

Ai shtoi se bashkëpunimi ekonomik duhet të shkojë paralel me demokratizimin e rajonit.

Më tej, kryeministri kërkoi nga kancelarja gjermane angazhim për liberalizmin e vizave për popullin e Kosovës. Tha se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim dhe se Gjermania mund të ndihmojë ta shtyjë këtë çështje përpara.

Kancelarja Merkel rikonfirmoi mbështetjen e Gjermanisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)