Mërgimtarët mund të marrin dokumente personale në konsullatat e Kosovës
Prishtinë, 29 maj - Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, ka bërë të ditur për të gjithë mërgimtarët se nga data 1 qershor, të trembëdhjetë Misionet Konsullore të Republikës së Kosovës do të jenë të gatshme të pranojnë kërkesat e shtetasve të Kosovës, për pajisje me letërnjoftim dhe pasaportë të Kosovës.
Tashmë, në Misionet Konsullore të Kosovës është montuar e gjithë teknika e nevojshme, ka përfunduar infrastruktura ligjore dhe janë dërguar aplikacionet e nevojshme për pajisje me letërnjoftime dhe pasaporta.
Stafi i konsullatave do të punojë me intensitet të shtuar, më qëllim të ofrimit të shërbimeve për sa më shumë qytetarë të Kosovës me banim jashtë vendit.
Po ashtu, brenda pak ditëve, nëpër Konsullatat e Kosovës do të dërgohen edhe 10 ekspertë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për të ndihmuar dhe lehtësuar punën e zyrtarëve të Misioneve Konsullore, për të përballuar fluksin eventual të kërkesave për pajisje me dokumente personale të Republikës së Kosovës.
Funksionalizimi i plotë i shërbimit për qytetarët e Kosovës me banim jashtë vendit, është në vazhdën e përpjekjeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme për të ofruar shërbime konsullore për të gjithë shtetasit tanë dhe për të përfaqësuar, mbrojtur e ndihmuar realizimin e interesave të tyre.
Për shkak të kërkesave të mëdha për pajisje me dokumente personale, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, kërkon mirëkuptim nga mërgimtarët në rast të ballafaqimit me ndonjë vonesë apo problem eventual teknik, gjatë kryerjes së shërbimeve të tyre.
Shtetasit e Kosovës me banim jashtë vendit, mund të aplikojnë për dokumente personale pranë këtyre Misioneve Konsullore:
Në Republikën Federale të Gjermanisë:
Misioni Konsullor në Berlin
Misioni Konsullor në Frankfurt
Misioni Konsullor në Shtutgart
Në Konfederatën e Zvicrës:
Misioni Konsullor në Bernë
Misioni Konsullor në Cyrih
Misioni Konsullor në Gjenevë
Në Republikën e Italisë:
Misioni Konsullor në Romë
Në Republikën e Francës:
Misioni Konsullor në Paris
Në Mbretërinë e Suedisë:
Misioni Konsullor në Stokholm
Në Mbretërinë e Belgjikës:
Misioni Konsullor në Bruksel
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës:
Misioni Konsullor në Nju-Jork
Në Republikën e Austrisë:
Misioni Konsullor në Vjenë
Në Mbretërinë e Bashkuar:
Misioni Konsullor në Londër.