15 Janar 2025

Mërgata shqiptare i bëri shtete Shqipërinë dhe Kosovën

Frankfurt, 23 tetor - Mërgimtarët shqiptarë kanë pasur rol vendimtar në krijimin e dy shteteve shqiptare në Ballkan, Shqipërisë dhe Kosovës, prandaj mërgimtarët duhet të kenë trajtim të veçantë në të dy vendet.

Kështu u tha në manifestimin për nder të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, organizuar në Frankfurt nga Lidhja Shqiptare në Botë.

Ministri kosovar i Diasporës, Ibrahim Makolli tha se historia e shtetit shqiptar është histori e luftërave të drejta për liri. “Kemi pasur fatin e keq, tash e sa shekuj, që të kemi një migrim të vazhdueshëm për rrethana ekskluzivisht politike, që pastaj ato kanë derivuar edhe rrethana të tjera ekonomike, sociale e kulturore, por mbase ishte edhe një fat, sepse, sikur fati ynë u përcaktua pikërisht nga mërgata”, tha Makolli.

Mërgata shqiptare, sipas tij, është strumbullari i lëvizjeve kombëtare për liri, pavarësi, identitet dhe mirëqenie të shqiptarëve, që përfundoi me Pavarësinë e shtetit shqiptar, 100-vjetorin e të cilit po e shënojmë këtë vit. “Mërgata u bë prapë faktori vendimtar i lëvizjeve liridashëse për pavarësinë e dytë-Pavarësinë e shtetit të Kosovës”, tha ministri i Diasporës.

“Ishit ju ata që sensibilizuat botën për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në trojet e tyre etnike dhe që pastaj nëpër faza të ndryshme të organizimit arritët deri në pikën e organizimit të luftës së armatosur. Mërgata jonë edhe sot vazhdon ta luajë një rol shumë të madh për Kosovën si në aspektin ekonomik ashtu edhe në aspekte të tjera. Diaspora jonë është ambasadori më i mirë gjithandej nëpër botë”, shtoi Makolli.

Në manifestim ishin të pranishëm të dy ambasadorët shqiptarë në Berlin, i Kosovës dhe i Shqipërisë, pastaj autoritete dhe miq nga shteti gjerman, si politikani i mirënjohur Christian Schwarz Shiling, drejtori i European Ballkan Institute, Stefan Schwarz, prof. dr.Konrad Kelwin, themeluesi i organizatës humanitare “Cap Anamur”, Rupert Neudeck, gazetari i njohur gjerman  Michael Friedman).

Ndërsa kryetari për Gjermani i Lidhjes Shqiptare në Botë, Lazim Destani tha se dashuria për atdheun është “topi që shkatërron kalatë më të forta dhe është kalaja që mund t'u qëndrojë topave më të fortë”.

“Ne jemi një komb, kemi një gjuhë e një gjak dhe një histori të përbashkët, por na mungon ajo që sot quhet vlerë e BE-së, na mungon bashkimi ekonomik. Ajo që sot është më se e nevojshme për ne është themelimi i tregjeve të përbashkëta, pasi sot tregjet e përbashkëta i zhdukin kufijtë administrativ dhe krijojnë trojet e bashkuara”, tha Destani.

Tregu, sipas tij, është mekanizmi më real për ti bashkuar vlerat ekonomike. “Gjithë së bashku bëjmë mbi 7 milionë. Kjo jo vetëm që tingëllon bukur dhe është shumë e nevojshme, por është shumë reale dhe e mundshme me gjithë limitimet dhe pengesat ekzistuese...është momenti për të reflektuar në këtë drejtim!”, përfundoi Destani.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)