Mediet lokale ankohen për taksën e licencës
Prishtinë, 25 dhjetor - Draft-rregullorja për taksën e licencës për mediet elektronike në Kosovë është e papranueshme dhe e dëmton industrinë mediale në Kosovë. Ky ishte qëndrimi medieve të Kosovës në debatin e organizuar të martën nga Instituti i Medieve i Kosovës (IMK).
Kryetari i Bordit të IMK-së, Ylber Durmishi, ka deklaruar se draft-rregullorja përveç se është e papranueshme, ajo mund të ketë edhe pasoja në funksionimin e medieve, e veçmas atyre lokale, të cilat me mund të madh po arrijnë të mbijetojnë. Kurse, nënkryetari i Bordit të IMK-së, Fazli Veliu, ka thënë se Draft-rregullorja për taksën e licencës duhet të ndryshohet.
Ai ka shtuar se mediet në Kosovë nuk janë kundër pagesës së taksës, por janë kundër trefishimit të taksës së licencës, e cila është propozuar nga KPM-ja.
Veliu, më tej ka thënë se rreth 1 mijë e 500 punëtorë të medieve lokale do të mbesin pa punë. KPM-ja nuk ka dhënë arsye për këto dy draft-rregullore. Kërkojmë rishikimin e draft-rregullores sepse e ka vënë në dyshim mbijetesën e medieve, ka theksuar ai.
Projekt-buxheti i KPM-së për vitin 2014, sipas Veliut është paraparë të jetë 1 milion e 400 mijë euro dhe se qëllimi është që anëtarët e KPM-së ti rrisin pagat e tyre.
Ndërsa, drejtoresha ekzekutive e Asociacionit të Medieve të Pavarura Elektronike të Kosovës, Ardita Zejnullahu, është shprehur se ky veprim i Komisionit të Pavarur për Medie çon drejt mbylljes së medieve.
KPM-ja nuk ka arritur ta rregullojë tregun mediatik, ashtu siç e ka për mision dhe për obligim. Nuk e kemi të qartë pse duhet të trefishohet taksa këtë vit. Këto veprime do të shtyjnë deri të mbylljen e shumë mediumeve. Pagesa të bëhet me këste, ashtu si në vendet e tjera. AMPEK-u ka reaguar ndaj këtyre dukurive. KPM-ja duhet ta rishikojë edhe njëherë draft-rregulloren dhe pastaj të vendosë, sepse kjo mënyrë çon drejt mbylljes së medieve, ka thënë Zejnullahu, drejtoreshë ekzekutive e AMPEK-ut.
Taner Bojnik nga OSBE-ja, ka deklaruar se po e ndjekin gjendjen më të re që ka të bëjë me mediet. OSBE-ja është duke bërë një analizë rreth këtyre zhvillimeve në KPM dhe draft-rregulloreve të fundit. Taksa është më e larta në krahasim me vendet fqinje, ka thënë Bojnik.
Ndaj veprimeve të Komisionit të Pavarur për Medie kanë reaguar edhe përfaqësuesit e medieve lokale. Ata kanë thënë se prapa këtij komisioni qëndrojnë grupe të tjera të interesit, të cilët po e rrezikojnë një industri të tërë të medieve në Kosovë.
Hajriz Mustafa nga radio Vicianum, ka thënë se kjo është e papërballueshme. Financiarisht jemi në gjendje të rëndë, është shprehur ai.
Murat Musliu nga radio Drenica, ka theksuar se prapa KPM-së qëndron dikush dhe kjo dëshmon se është i varur prej grupeve kriminale e mafioze.
Edhe Elizah Ahmeti nga radio Zëri i Shtimes, ka thënë se KPM-ja po tenton të bëhet bashkëpronar me ne.