Mediat ndërkombëtare raportojnë për zgjedhjet në Kosovë
Prishtinë, 11 qershor- Mediat ndërkombëtare kanë raportuar sot për zgjedhjet në Kosovë. Qytetarët e Kosovës po votojnë në zgjedhjet e parakohshme, pasi kryeministri Isa Mustafa humbi një votëbesim në parlament muajin e kaluar, shkruan BBC.
Sipas raportit, qeveria e re do të duhet të trajtojë papunësinë e lartë, të përmirësojë ekonominë dhe të zhvillojë marrëdhënie më të mira me fqinjët e saj.
BBC raporton se blloku i kryeministrit Mustafa po përballet me një koalicion të udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj.
Një fitore për Haradinajn do të komplikonte marrëdhëniet me Serbinë, raporton BBC.
Një nga prioritetet më të mëdha për çdo qeveri të re do të jetë zvogëlimi i papunësisë, që arrin në 30% dhe ulja e tensioneve me Serbinë, një parakusht për të dy vendet përpara se të mund të hyjnë në Bashkimin Evropian.
Perëndimi beson se përfshirja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE është mënyra më efektive për stabilizimin e një rajoni të dëmtuar nga lufta përgjatë viteve 1990.