21 Janar 2025

Mediat me të balancuar gjatë fushatës zgjedhore

Prishtinë, 7 gusht - Koalicioni Demokracia në Veprim (DnV), përmes një tryeze diskutimi ka publikuar  raportin e monitorimit të mediave “Monitorimi i Mediave – Fushata Zgjedhore 2014”. Në këtë tryezë ishin pjesëmarrës përfaqësues të Koalicionit Demokaracia në Veprim - DnV, media dhe shoqëri civile.

Fidan Kalaja nga Lëvizja FOL, pjesë e DnV-së prezantoi të gjeturat e monitorimit të mediave në gjuhën shqipe.

Ai tha se ky raport përmbledh të gjeturat e mbledhura gjatë monitorimit të mbulimit nga ana e televizioneve dhe gazetave të përditshme nacionale të fushatës parazgjedhore”.

Për këtë qëllim, ky raport përmbledh të dhënat e monitorimit të dymbëdhjetë (12) mediave më të mëdha të nivelit nacional (katër televizioneve dhe tetë gazeta të përditshme). Më tej, ai tha se  “këto të dhëna përmblidhen në kuadër të katër kategorive të produkteve mediale siç janë programet informative, spotet reklamuese dhe reklamat e subjekteve politike”.

Ai theksojë se në kuadër të programeve të tyre informative televizionet kanë transmetuar gjithsej 359 kronika ku kanë prirë Koalicioni PDK-PD-LB-PK-PSHDK me gjithsej 74 kronika, Lidhja Demokratike e Kosovës - LDK me gjithsej 63 kronika dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – AAK gjithsej 55 kronika.

Ndërsa në lidhje me spotet reklamuese dhe transmetimet direkte të sponsorizuara të subjekteve dhe koalicioneve të subjekteve politike të transmetuara të dhënat e këtij raporti tregojnë se janë transmetuar gjithsej 93 orë e 10 minuta e 18 sekonda, me rreth 3300 spote reklamuese dhe 93 transmetime direkte të sponsorizuara gjatë vetëm dhjetë ditë sa ka zgjatur fushata parazgjedhore.

Ndërsa sa i përket gazetave ditore gjatë periudhës dhjetë ditore të fushatës sa ka zgjatur monitorimi, të tetë gazetat e monitoruara, kanë botuar gjithsej 603 artikuj që kanë pasqyruar aktivitetet e subjekteve politik. 

Edhe tek gazetat kanë prirë Koalicioni PDK-PD-LB-PK-PSHDK me 133 artikuj, Lidhja Demokratike e Kosovës - LDK me 119 artikuj dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës  me 98 artikuj të botuar.

Ndërsa Jelena Cvetanović nga Qendra për Paqe dhe Tolearncë gjithashtu pjesë e DnV-së prezantoi të gjrturat e monitirimit të mediave në gjuhën serbe.

Ajo tha se “për shkak të mosmarrëveshjeve në mes të Qeverisë së Serbisë në Beograd dhe subjekteve politike serbe në Kosovë, fushata e monitoruar nga ekipi monitorues i mediave ka zgjatur vetëm tri ditë të fushatës zyrtare zgjedhore, përgjatë datave 3 deri më 6 qershor 2014”. 

Jelena Cvetanović potencoi se pas fillimit të fushatës zgjedhore, gati se të gjitha mediat i dhanë hapësirën më të madhe mediale Listës Serbe dhe më së paku PDS-së së Nenad Rašić dhe Lëvizjes për Prosperitet Demokratik.

Mirëpo sipas saj duhet të potencohet se asnjë nga mediat nuk ka treguar ndonjë anshmëri të dukshme në mbulimin e aktiviteteve të subjekteve politike. Sa i përket mediave në gjuhën serbe janë monitoruar 2 televizione, 3 radio dhe 4 portale.

Pas prezantimeve të te gjeturave të monitorimit të mediave, tryeza vazhdoi me diskutimin e panelisteve dhe të ftuarve të tjerë në tryezë.

Agron Bajrami, kryeredaktor në Koha Ditore tha se sa i përket monitorimit të mediave gjatë fushatës zgjedhore janë dy elemente kryesore që duhet trajtuar forma dhe përmbajta e raportimeve, ku sipas tij kjo e fundit është shumë e rëndësishme të analizohet për shkak të rëndësisë që ajo ka në formësimin e opinionit publik.

Gjithashtu ai tha se duke pas parasysh zhvillimin e internetit dhe mediave online, përkatësisht portaleve informative do duhej që edhe ato të monitorohen në të ardhmen.

Sipas tij problemi i financave të partive politike sa i përket spoteve dhe transmetimeve direkte mediale do duhej që të rregullohej nga ana e komisionit Qendror të Zgjedhjeve. 

Ndërsa Fatmir Aliu, nga Radiotelevizioni 21, tha se për dallim nga mbulimet mediale të zgjedhjeve të kaluara në Kosovë, në këto zgjedhje është dalluar një mbulim shumë i balancuar i mediave rreth aktiviteteve të partive politike gjatë fushatës zgjedhore.

Gjithashtu ai potencoi se ende është sfidë për televizionet përmbajtja e transmetuar e cila në të ardhmen duhet fokusuar në cilësinë profesionale dhe etike.

Tryeza ka vazhduar me diskutimet e pjesëmarrësve të tjerë rreth raportit në përgjithësi dhe modeleve se si duhet përmirësuar mbulimi medial i zgjedhjeve në Kosovë gjatë fushatave zgjedhore.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)