Me strategji për diasporën
Prishtinë, 29 korrik - Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, ka paralajmëruar se brenda disa javëve qeveria e kosovës do ta miratojë strategjinë për diasporën, i cili konsiderohet dokumenti i parë i rëndësishëm për mbrojtjen e mërgatës shqiptare në gjithë botën.
Makolli ka thënë se për të ardhur deri te kjo strategji kanë organizuar takime publike në mbi 20 shtete ku gjendet mërgata shqiptare.
Makolli ka bërë me dije se me këtë strategji do të mbrohen të drejtat politike dhe civile të mërgatës në shtetin ku jeton apo në atë të origjinës.
Pjesë e kësaj strategjie është edhe integrimi i mërgatës në jetën e shtetit ku jeton, por edhe integrimi i saj në rastin e kthimit në vendin e origjinës. Një fushë tjetër që ka rëndësi në këtë strategji është ruajtja e identitetit të mërgatës, ka thënë Makolli në intervistën për Epokën e re
Ai ka vlerësuar se, për dallim nga e kaluara, janë bërë përmirësime në ofrimin e shërbimeve më efikase dhe më cilësore për mërgimtarët. Shumica e zyrave të ofiçarisë dhe të zyrave të tjera që kanë të bëjnë me dhënien e dokumentacioneve kanë zgjatur orarin e punës. Shumica prej tyre punojnë edhe gjatë ditëve të vikendit, është shprehur Makolli.