19 Maj 2024

Me demonstratat e ’81-shit nisi shthurja e Jugosllavisë

Prishtinë, 12 mars - Rinia studentore, si çdoherë gjatë historisë, edhe në vitin 1981 do të bëhet promotore e ngjarjeve të rëndësishme për popullin shqiptar në Kosovë.

Me organizimin e demonstratës së 11 marsit dhe më vonë të 26 marsit dhe 1 e 2 prillit, ku do të kërkohej që Kosova të jetë republikë, do të nisë edhe shthurja e Jugosllavisë që më vonë edhe u bë realitet. Por, si nisi demonstrata e 11 marsit në Mensën e Studentëve në Prishtinë?.

“Në vitin 1981 si student kam banuar në konviktin numër 3, dhoma 310, bashkë me Murat Musliun dhe Ahmet Tahirin. Në dhomën 312 banonin Ramadan Gashi, Kadri Kryeziu, Januz Januzi dhe Bedri Deliu. Ne shoqëroheshim, edhe pse nuk ishim studentë të të njëjtit fakultet.

Me Ramadanin dhe Bedriun kishim qenë shokë që nga shkolla e mesme dhe nëpërmjet tyre u njoftuam edhe me Kadriun dhe Januzin. Kohën e lirë, sidomos mbrëmjeve, ishim bashkë në njërën ose në dhomën tjetër.

Bisedat tona ishin nga më të ndryshmet, në veçanti preokupimet për pozitën tonë si studentë zinin vendin e shumtë në bisedat tona. Pastaj si preokupim yni ishin edhe pozitat ekonomike dhe politike e Kosovës në raport me republikat e ish-Jugosllavisë, për të cilën gjë bisedonim gjatë dhe shpesh këmbenim edhe literaturë të ndaluar, ose gazeta që asokohe botoheshin ilegalisht në Kosovë ose jashtë saj, nga grupet dhe organizatat patriotike”, ka thënë për “Epokën e re”, Gani Koci, njëri nga organizatorët e kësaj demonstrate.

Ai ka treguar se secili nga organizatorët e demonstratës së 11 marsit kishte lidhje indirekte me njerëzit e ndonjërit nga grupet ilegale atdhetare që vepronin në atë kohë.

“Prandaj në njëfarë mënyre ne kishim krijuar bindje për pozitën e pabarabartë të popullit tonë dhe Kosovës dhe përpjekjes për realizimin e idesë së vetëvendosjes. Këto ide të përbashkëta e thelluan shoqërimin tonë, kështu që më 9 mars, derisa ishim në dhomën 312, filluam të bisedonim se diçka duhet ndërmarrë për përmirësimin e pozitës sonë si studentë, dhe preteksti ishte i gatshëm: kushtet e rënda në strehim dhe ushqim”, ka deklaruar ai.

Koci ka treguar se bisedën e kanë vazhduar edhe në dhomën 310, duke vendosur se më 11 mars në orën 19:00 të mbrëmjes duhet të protestohet në Mensën e Studentëve.

“I kemi ndarë detyrat, dhe detyrë e parë e secilit prej nesh ka qenë t’i informojmë fshehtas sa më shumë shokë tanë të besueshëm, duke zgjeruar sa më shumë rrethin, dhe të gjithë në të njëjtën kohë, të caktuar, të jemi para Mensës së Studentëve. Kemi pasur gati dy ditë në dispozicion dhe secili kemi vepruar ndaras, duke u takuar kohë pas kohe për ta informuar njëri-tjetrin për veprimet tona.

E kemi zgjedhur orën 19:00 të mbrëmjes, sepse në këtë kohë frekuentimi dhe dendësia e studentëve në mensë ishte tepër e madhe, e në këtë mënyrë shpresonim (dhe ashtu doli) se do ta na bashkëngjiten sa më shumë kolegë tanë”, ka thënë Koci.

“Ne shokët – organizatorët - shkuam bashkë. Më kujtohen Gani Koci, Januz Januzi, Ramadan Gashi... situata në Mensë ishte e njëjtë. Aty është dashur me prit për një ushqim dy-tri orë.

Kështu që, ne në atë mbrëmje kemi shkuar në Mensë dhe kemi filluar t’i heqim studentët nga vijat ku pritnin për ushqim dhe në një çast unë kur kam hyrë në një vijë të ushqimit dhe kam takuar Bahrije Kastratin, studente e Fakultetit Juridik, ka qenë, kurse unë me motrën e saj isha i fejuar dhe në atë çast ajo më ka pyetur se çka po ndodh, ndërsa unë i tregova se po bënim demonstrata, e ajo në atë çast e ka marrë pjatën dhe e ka hedhur për tokë.

Shumë kohë pastaj është folur se një vajzë i ka nisur demonstratat.

Jo, demonstratat i kemi nisur ne grupi që përmenda me lart, ndërkaq Bahrija vetëm e ka gjuajtur pjatën dhe nga ai çast studentët kanë filluar t’i rrotullojnë tavolinat... ka pas pak vrazhdësi aty, por pas 10 minutave është pastruar salla dhe ne kemi dalë jashtë”, ka treguar për “Epokën e re”, Kadri Kryeziu, po ashtu organizator i kësaj demonstrate.

Gani Koci filloi ta brohoriste parullën “Kosova Republikë”

Pavarësisht se organizatorët ishin marrë vesh se kërkesat duhet të ishin ekskluzivisht me karakter ekonomik e social, kurse më vonë të dilet me ato natyrës politike, Kadri Kryeziu kujton se me të filluar demonstrata, më saktësisht me të parë që gjatë marshimit drejt qendrës së qytetit numri i demonstruesve sa vinte e po shtohej, Koci do të fillonte ta brohoriste parullën “Kosova Republikë”.

Kjo parullë më pastaj do të shndërrohet në kërkesë kryesore të shqiptarëve të Kosovës në demonstratat e 26 marsit, 1 dhe 2 prillit 1981. Beogradi zyrtar do t’u përgjigjet me dhunë demonstratave paqësore të shqiptarëve.

Dhunën e Beogradit do ta miratojnë edhe udhëheqësit shqiptarë të Kosovës dhe nga Kosova, ndërsa krahas serbëve dhe pjesëtarëve të etniteteve të tjera të Jugosllavisë së asaj kohe, dhunë të shfrenuar ndaj rinisë së Kosovës do të ushtrojnë edhe pjesëtarë të shumtë shqiptarë të SPB-së dhe UDB-së. Si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit nga ana e policisë do të bien edhe viktimat e para. Do të ketë edhe të plagosur.

Pastaj fillojnë burgosjet dhe dënimet; shekuj të tërë burgje ka vuajtur rinia e Kosovës. Strukturat e LKK-së fillojnë diferencimin famëkeq ideo-politik gjithëpërfshirës kundër ‘kundërrevolucionarëve’, ‘nacionalistëve’, ‘irredentistëve’ dhe mosdënuesve të tyre e të kërkesës Kosova Republikë, ndërsa familjet e tyre do të lëçiteshin. Si pasojë e fushatës së burgosjeve politike, edhe Gani Koci, i cilësuar si organizatori kryesor i 11 marsit 1981 dhe si bashkorganizator i demonstratave të mëvonshme të 26 marsit, 1 e 2 prillit, arrestohet dhe më pastaj merr dënimin prej 15 vjetëve, prej të cilave i ka vuajtur 10 vjet, 3 muaj e disa ditë.

“Kur fillova të thërras Kosova Republikë, Kadri Kryeziu ma mbyll shpejt gojën me dorë, duke me thënë se është herët lansimi i parullave të tilla, pa e verifikuar mirë përkrahjen e të gjithëve. Kështu unë e kam ndërprerë thirrjen time. Kemi kaluar nëpër qendër të qytetit, ku na janë bashkëngjitur qindra qytetarë”, ka thënë Koci.


Kocit i kujtohet se krahas grupit të studentëve demonstrues, kishin marshuar edhe dy grupe të mëdha qytetarësh.

 “Dhe kështu, në të kthyer te qendra, përballë Institutit Albanologjik, për herë të parë ndërhyn brutalisht policia. Duke qenë të papërgatitur për një ndërhyrje të tillë, për një çast është shpërndarë grupi ynë, për t’u ribashkuar shumë shpejt, duke iu kundërvënë policisë dhe duke e nxjerr nga ta një student të cilin e kishin lënduar shumë rëndë. Kështu që, ne vendosemi në udhëkryqin para Qendrës së Studentëve dhe kjo bëhet pika kryesore e grumbullimit dhe e përqendrimit tonë nga të gjitha drejtimet, ku tashmë ishin mijëra studentë”, ka thënë ai. Po ashtu, Kocit i kujtohet se janë brohoritur gjithnjë parullat me karakter social.

Por, aty-këtu edhe ndonjë që kishte edhe kërkesë politike. “Ndërhyrja para Institutit Albanologjik krijoj një bindje te ne se dikë e kanë arrestuar, prandaj filluam edhe me parullën ‘Lironi shokët nga burgu’, duke aluduar edhe në ata të burgosur politikë shqiptarë që asokohe gjendeshin në burgje”, ka deklaruar ai. Kocit i kujtohet se është protestuar deri në orët e hershme të mëngjesit të 12 marsit.

“Gjatë gjithë kësaj kohe grupe studentësh edhe brenda Qendrës së Studentëve kanë qëndruar përjashta duke kënduar këngë patriotike dhe duke brohoritur kërkesat tashmë të shtruara të karakterit ekonomik dhe social, po aty-këtu edhe ato politike”, ka thënë Koci.


Pas kaq vitesh, Koci demonstratat e ’81 i vlerëson si një nga ngjarjet më të rëndësishme për popullin shqiptar. “Sikur të mos ndodhte viti 1981, nuk do t’i kishim as vitet e ’90-ta, sidomos vitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila i dha fund robërisë shekullore”, ka vlerësuar Koci.


Edhe Kadri Kryeziu, i cili arrestohet më vonë nga organet e ndjekjes dhe dënohet me nëntë vjet burgim, vlerëson se kjo ngjarje do t’u paraprijë ngjarjeve të tjera. “Demonstratat e 11 marsit ’81 në kuptimin e jashtëm kanë pasur karakter ekonomik-social, ndërsa në thelb përmbanin gjithsesi karakterin politik”, ka thënë Kryeziu.

Ai ka treguar se për organizatorët e demonstratave si jurist ka qenë shumë vështirë për ta gëlltitë atë që thuhej në Kushtetutën e vitit 74, “se që të gjitha të drejtat qytetarët i kanë të barabarta në Kosovë”. “Gjë që nuk ishte e vërtetë”, tregon ai.


Kryeziu kujton se si klasa politike e kishte zbatuar politikën e Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste. “Kushtetutën e vitit ’74 dikush e ka kuptuar si diçka më liberale, por ajo ka qenë një kamuflazh, me të cilën populli shqiptar në Kosovë nuk i ka gëzuar të drejtat e barabarta si popujt e tjerë në ish-Jugosllavi.

Si më 1974 ashtu edhe në vitin 1978 ka pasur shumë njerëz tanë në burgje të ish-Jugosllavisë, që janë burgosur vetëm pse e kanë ngritur zërin kundër padrejtësive, në mesin e tyre ka qenë edhe Adem Demaçi, i cili për ne ka qenë frymëzim.

Pastaj, në përpjekjet për realizimin e të drejtave tona të ligjshme, kemi qenë të frymëzuar edhe nga gazetat të cilat i lexonim në atë kohë: ‘Lajmëtari i Lirisë’, ‘Bashkimi’, ‘Zëri i Kosovës’, që na vinin nga Grupi i Jusuf Gërvallës e Kadri Zekës, me të cilët unë nuk kam pasur kontakt”, ka hënë Kryeziu.


Pas demonstratës së 11 marsit do të organizohen demonstratat e 26 marsit, 1 dhe 2 prillit 1981, të cilat do t’i dridhnin themelet e shtetit të atëhershëm jugosllav.
(Epoka e re)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)