Me 8 nëntor Kuvendi debaton për Raportin e Progresit
Kryesia ka konfirmuar vendimin e saj që në seancën 8 nëntorit të zhvillohet debat parlamentar për Raportin e Progresit për Kosovën, kurse në seancën e 11 nëntorit, pas shterimit të dy pikave të përhershme të seancave të rregullta: çështje jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të shqyrtojnë për herë të dytë:
Projektligjin për Hekurudhat e Kosovës dhe Projektligjin për tregti me jashtë.
Në vazhdim të seancës do të shqyrtohen: Raporti i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për mbrojtjen nga dhuna në familje; Propozimi i Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për uljen e taksës menaxhuese, si dhe Raporti vjetor të Auditimit nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, për vitin 2010.
Kryesia në mbledhjen e sotme ka përfillur Rekomandimin e Komisionit për të drejtat e njeriut, barazi gjinore, persona të pagjetur dhe peticione lidhur me rastin Kiqina, si dhe ka vendosur që rastin Kiqina ta procedojë për debat parlamentar në seancën e 11 nëntorit.
Duke e shqyrtuar kërkesën e deputetit Ramë Vataj, e mbështetur nga 49 deputetë të Kuvendit, për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Kryesia e ka mbështetur nismën, por ka kërkuar sqarime nga parashtruesi i kërkesës për bartësit e ndryshimeve të këtij ligji.
Kryesia ka mbështetur Rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me projeksionin e shpenzimeve të Radiotelevizionit të Kosovës, për periudhën tetor-dhjetor 2011, si dhe është njoftuar lidhur me vizitën zyrtare të Komisionit për Buxhet dhe Financa të realizuar në Bruksel.