Me 29 shtator protesta kundër Hashim Thaçit
Prishtinë, 18 shtator - Kryetari i Levizjës Vetëvendosje, Albin Kurti në konferencën e sotme për media ka thënë së situata politike në Kosovë është e rëndë, sidomos nga ndërmarrja e Presidentit i Kosovës, Hashim Thaçi, për dialog të ri me homologun e tij serb, pa mandat nga Kuvendi, pa parime për dialogun, pa ekip gjithpërfshirës, si dhe me parashikimin e tij për ‘kompromis të dhimbshëm’ gjatë ‘korrigjimit të kufijve’.
Kjo aventurë personale e Presidentit të Kosovës sipas tij duhet ndalur dhe duhet ndaluar.
"Ai tani shënon mbështetjen më të ultë qytetare në Kosovë në gjithë karrierën e tij politike. Ky president nuk as legjitimitet, as kompetencë dhe as kredibilitet", ka theksuar Kurti.
Edhe gjendja socio-ekonomike në Kosovë është e rëndë, për shkak të mungesës së zhvillimit e progresit dhe teprisë së keqqeverisjes e korrupsionit.
Nga skandalet e shpeshta dhe të shumta të kryeministrit e të kabinetit enorm të tij sipas Kurtit na nxjerrin veçse zgjedhjet e reja parlamentare.
Qeveria po e bojkoton Kuvendin sepse ajo po e lufton opozitën, krejt kjo nën mbikëqyrjen e kryetarit të Kuvendit. Pushteti në Kosovë e ka braktisur shtetndërtimin demokratik: ai nuk e don sundimin e ligjit dhe nuk din për zhvillim ekonomik.
Prandaj, Lëvizja Vetëvendosje!, më 29 shtator 2018, thërret protestë paqësore e qytetare në Prishtinë, në ora 14:00.
"Ne i kemi institucionet e shtetit të kapura. Sheshi është institucion në republikë. Pakënaqësia duhet të dalë në shesh. I ftojmë qytetarët e të gjitha moshave e vendbanimeve, anëtarët e të gjitha partive dhe organizatave të bashkohen në protestë. Një popull s’i nënshtrohet një njeriu."
"Asgjë më pak se shpëtimi i shtetit të Kosovës nuk është në pyetje. Ruajtja e integritetit territorial e institucional dhe mbrojtja e popullsisë dhe paqes në Kosovë, janë detyra jonë si qytetarë të republikës, si politikanë përfaqësues e si aktivistë politikë."
"Pasi që na e rrudhën lirinë dhe demokracinë, institucionet dhe mirëqenien, duan të na e rrudhin edhe territorin dhe pavarësinë. Duan ta ndajnë Kosovën e ta copëtojnë edhe Kosovën Lindore. Pazaret e Thaçit me Vuçiqin nuk do t’i paguajmë ne. Sepse, një popull s’i nënshtrohet një njeriu", ka theksuar në fund Kurti.