Më 27 mars kryeparlamentari i Irlandës viziton Kosovën
Prishtinë, 19 mars - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka shqyrtuar përgatitjet për mbledhjen plenare të radhës, e cila do të mbahet më 29 mars.
Në këtë seancë do të shqyrtohen propozim-vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës: Për emërimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, dhe për emërimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë së Pronës.
Seancës do ti kalojë edhe kërkesa e Qeverisë për tërheqjen e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-168 për Turizmin dhe Shërbimet Turistike.
Në të njëjtën mbledhje plenare të Kuvendit parashihet të shqyrtohet për herë të dytë Projektligji nr. 04/L-46 për Transmetimin Publik në Kosovë (i bartur nga seanca të shkuara).
Rendi i ditës për këtë seancë do të përcaktohet përfundimisht në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare.
Kryeparlamentari Krasniqi i ka njoftuar nënkryetarët e Kuvendit për vizitën e kryetarit të Parlamentit të Irlandës së Veriut, William Hay, në Kosovë, e cila do të realizohet nga 27- 30 mars të këtij viti.
Në mbledhjen e sotme anëtarët e kryesisë kanë marrë njoftimin e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me përzgjedhjen e auditorit të jashtëm për auditimin e pasqyrave financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, për vitin 2011. Auditor i jashtëm është përzgjedhur kompania audituese DELOITE, në Prishtinë.