15 Janar 2025

Më 21 janar mbahet seanca e parë Kuvendit e Sesionit pranveror

Prishtinë,  14 janar - Kryesia e  Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr.Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që më 21 janar të mbahet mbledhja e parë plenare e Sesionit pranveror të këtij viti, si dhe ka përcaktuar rendin e ditës për këtë seancë.

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë përfaqësuesit e Grupit parlamentar Vetëvendosje! kanë shtruar kërkesën për debat parlamentar lidhur me bisedimet me Serbinë, pas miratimit të Platformës serbe për Kosovën.

Kërkesa arsyetohej me, siç janë shprehur ata: ndryshimin e kornizës së bisedimeve që dallon rrënjësisht nga ç’ka paraparë Rezoluta e Kuvendit të Kosovës për këto bisedime.

Kërkesa nuk ka marrë mbështetjen e shefave të grupeve të  parlamentare, prandaj  VV-së i mbetet të ndjekë procedurën e rregullt për seancë të jashtëzakonshme (duke mbledhur 40 nënshkrime të deputetëve).

Në seancën e së hënës, më 21 janar, pas shterimit të pikave të përhershme të seancave të rregullta: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë: Projektligjin për  transplantimin e organeve.

Në vazhdim deputetët do të shqyrtojnë Propozimin e Qeverisë  së Republikës së Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Statutit të Universitetit të Prishtinës, si dhe Strategjinë  dhe Planin e Veprimit kundër korrupsionit për periudhën 2013-2017.

Në të njëjtën seancë deputetët do të zgjedhin anëtarët e Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media, si dhe  katër anëtarë të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës. Përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së e ka bërë Komisioni ad hoc, në bazë të nenit 67 dhe 71 të Rregullores së Kuvendit dhe të nenit 26 të Ligjit për Radio Televizionin e Kosovës.

Kryesia ka shqyrtuar edhe Programin Legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2013, i cili  do t’u të shpërndahet deputetëve, duke i ngarkuar komisionet parlamentare që, mbi bazën e Programit  legjislativ dhe të propozimeve të veta, t`i hartojnë planet e punës periodike dhe Programin e punës së komisioneve për vitin 2013, të cilët duhet të dorëzohen deri më 28 janar.

Në bazë të tyre Drejtoria e Përgjithshme për çështje ligjore dhe procedurale do ta hartojë Projekt-Programin e punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, për vitin 2013,  i cili  me propozim të Kryesisë së Kuvendit i procedohet në seancën e parë plenare të muajit shkurt.

Ndërkaq, lidhur me procedimin e  Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-101 për fondet pensionale të Kosovës (të hartuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa), anëtarët e Kryesisë, pasi janë njoftuar me mendimin e Qeverisë për të dhe Deklaratën për verifikimin e ndikimit buxhetor të këtij Projektligji , kanë ngarkuar Komisionin për Buxhet dhe Financa, si komision funksional, të përgatisë Raportin preliminar për këtë Projektligj dhe Kuvendit t’ia paraqes raportin me rekomandime në shqyrtimin e  parë të Projektligjit.

Sa i përket kërkesës së riformuluar të deputetit Ramë Vataj, e mbështetur  nga deputetët nënshkrues, për debat  parlamentar në lidhje me procesin e zgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Kryesia ka mbajtur qëndrim se kërkesa, megjithëse i plotëson kushtet formale për procedim, nevojiten bisedime shtesë me parashtruesin e kërkesës dhe sqarime para se çështja të radhitet për shqyrtim në seancë.

Lidhur me propozimin e Panelit vlerësues të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për  plotësimin e një pozite për anëtar joekzekutiv të Bordit të BQK-së, Kryesia ka ngarkuar Komisionin për Buxhet dhe Financa ta shqyrtojë propozimin e Panelit vlerësues dhe Kuvendit t’ia paraqesë Raportin me rekomandime.

Kryesia e ka tumir kërkesën  Komisionit për Punë të Jashtme për lejimin e organizimit të  Konferencës  Rajonale në Prishtinë, në temën: ”Bashkëpunimi rajonal, integrimi evropian dhe roli i diplomacisë parlamentare”, e cila planifikohet të mbahet, më 11 mars 2013, në Prishtinë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)