18 Janar 2025

Më 18 tetor fillon negocimi i MSA-së

Prishtinë, 4 tetor - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në takimin e përbashkët të Komitetit Drejtues për Liberalizimin e Vizave dhe Ekipit Negociator për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit ka kërkuar nga ministrat të të mos përqendrohet në fushatën për zgjedhjet lokale, por të angazhohen në procesin e liberalizimit te vizave dhe MSA-së.

"Sot, jo rastësisht ju kemi ftuar, ju të cilët keni nderin dhe përgjegjësinë që të bartni mbi supet tuaja dy procese të rëndësishme, atë të liberalizimit të vizave dhe të nënshkrimit të MSA-së. Sot për ju kam vetëm një mesazh, pra të ruajmë integritetin e këtyre dy proceseve, ka thënë kryeministri Thaçi.

Ai ka thënë se me asnjë çmim nuk do të lejojmë që fushata zgjedhore, të ndikojë në uljen e përkushtimit dhe angazhimin për këto dy procese jetike për qytetarët e Kosovës.

Vjeshta sipas tij është vendimtare për këto dy procese dhe kërkoj një angazhim maksimal prej të gjithëve.

Me vizitën e Komisionarit për Zgjerim më 18 tetor, edhe formalisht fillon negocimi i MSA-së, ndërkohë, që brenda pak javësh presim misione tjera vlerësuese për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave. 

"Për ju, liberalizimi i vizave dhe MSA-ja, duhet të jenë prioritet absolut. Kërkoj që me asnjë çmim, vëmendja juaj të mos përqendrohet në fushatën për zgjedhjet lokale. Detyra juaj parësore është që të siguroheni që secili zyrtar që ka detyrime në këtë proces, të jetë i angazhuar maksimalisht", u është drejtuar kryeministri Thaçi ministrave të kabinetit të tij.
 
Ai ka kërkuar nga ministrja Çitaku dhe të gjithë që janë të angazhuar në këtë proces, që rregullisht të më raportojnë për ecurinë e këtyre dy procese.

"Ky duhet të jetë prioritet juaji i parë, ndërsa, natyrisht duhet të vazhdojmë me zgjedhjet, por prioriteti i parë është angazhimi për procesin e liberalizimit të vizave dhe MSA-ja", ka theksuar në fund Thaçi.

Ndërsa, gjatë takimit Ministrja Çitaku tha se gjatë kësaj jave kemi marrë konfirmimin nga Komisioni Europian për përgatitjet që janë duke i ndërmarrë në Bruksel për misionet vlerësuese për procesin e liberalizimit të vizave.

"Datat e sakta jemi duke i diskutuar por pritet që misionet vlerësuese do të ndodhin gjatë muajit Nëntor dhe do të mbulojnë: Riatdhesimin, Ri-integrimin; Sigurinë e dokumenteve; dhe sipas të gjitha gjasave do të vlerësojnë edhe Migrimin dhe Azilin", ka theksuar Çitaku.

Misionet sipas saj do të zhvillohen nga ekspertë të fushës të përzgjedhur nga Shtete anëtare të BE-së dhe zyrtarë të Komisionit Europian.

Ata do të qëndrojnë në Kosovë për disa ditë dhe gjatë asaj kohe do të takohen me zyrtarë të Institucioneve të Kosovës, Organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, përfaqësuesve të Shoqërisë Civile etj, me ç’rast do të analizojnë zbatimin e kritereve për liberalizim të vizave.

"Ajo që është e rëndësishme është që ne të jemi të përgatitur dhe të jemi të gatshëm që t’i presim këta zyrtarë sa më mirë që të jetë e mundur, kjo do të thotë që është e rëndësisë më të madhe që deri atëherë të kemi një zbatim sa më të mirë të kritereve për liberalizim të vizave dhe të siguroheni që stafi juaj më i përgatitur, me njohuri sa më të mira për ta prezantuar punën që është bërë nga institucionet relevante, ata duhet ta njohin legjislacionin vendor, sipas mundësisë të kenë njohuri solide edhe të legjislacionit të BE-së si dhe të gjuhës angleze."

"Pra me fjalë tjera na nevojiten zyrtarët më të mirë që i kemi ti takojnë këta zyrtarë dhe të prezantojnë rastin e Kosovës sa më mirë që të jetë e mundur”, theksoi Çitaku.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)