Më 17 nëntor shqyrtohet Projektligji për buxhetin 2012
Prishtinë, 14 nëntor - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e përbashkët me shefat e grupeve parlamentare, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka përcaktuar rendin e ditës për mbledhjen plenare të 17 nëntorit.
Pikë kryesore e rendit të ditës së kësaj seance do të jetë shqyrtimi për herë të parë i Projektligjit për buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2012, çështje e cila, si zakonisht, pritet të ngjallë debat të gjerë parlamentar.
Në të njëjtën seancë deputetët do të vendosin lidhur me kërkesën e Ministrisë së Financave për lejimin e transferit të mjeteve buxhetore nga Ministria e Punëve të Jashtme në Ministrinë e Integrimeve Evropiane.
Deputetët do të njihen, ndërkaq, me propozimin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.
Fillimi i seancës, si rëndom për mbledhjet e rregullta të Kuvendi, është rezervuar për deklarime të deputetëve jashtë rendit të ditës dhe për pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.
Duke marrë shkas nga mungesa herë pas here e kuorumit, si në seancën e parafundit të Kuvendit të Kosovës, kryeparlamentari Krasniqi ka kërkuar nga shefat e grupeve parlamentare të ndikojnë tek deputetët e grupeve të tyre të jenë të pranishëm në mbledhjet plenare dhe në mbledhjet e trupave të tjerë të Kuvendit