MD shqyrton plotësimin dhe ndryshimin e dy ligjeve
Prishtinë, 30 prill - Ministria e Drejtësisë, e mbështetur nga UNDP është duke e zhvilluar një punëtori dyditore lidhur me shqyrtimin e plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publik, Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të Gjithë Personat Zyrtarë, si dhe plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.
Qëllimi kryesor i organizimit të punëtorisë është diskutimi i përmbajtjes së këtyre dy projektligjeve dhe përfshirja e sa më shumë akterëve në diskutimin e çështjeve të ndryshme që lidhen me projektligjet në fjalë.
Duke qenë se qellim primar i Ministrisë së Drejtësisë është hartimi i legjislacionit sa më të kompletuar dhe të zbatueshëm në Kosovë, përfshirja e institucioneve të ndryshme, e në të njëjtën kohë edhe e shoqërisë civile në hartimin e legjislacionit është esenciale.
Për më tepër me ndihmën e UNDP-së është siguruar pjesëmarrja e ekspertes nga jashtë, znj. Milena Minkova.
Në këtë punëtori do të marrin pjesë përfaqësues nga institucionet e ndryshme, si Agjencioni Kundër Korrupsionit, Zyra e Kryeministrit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Ministria e Administratës dhe Pushtetit Lokal, Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Prokuroria e Shtetit, Policia e Kosovës, EULEX, OSBE, UNDP, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Lëvizja FOL dhe Lëvizja ÇOHU.