MD nuk i mori parasysh rekomandimet e shoqërisë civile
Prishtinë, 9 gusht - Forumi Këshillues i OJQ-ve për pakon Ligjore Antikorrupsion ka zhvilluar disa takime konsultative, ku është analizuar përmbajtja e projekt-ligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepra penale.
Forumi pas analizave e sheh të arsyeshme të kontestojë edhe më tutje projekt-ligjin e miratuar nga Qeveria e Kosovës me datën 07 gusht 2012.
Qeveria e Kosovës të martën më datë 07 gusht 2012 ka miratuar projekt-ligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurive të fituara me anë te veprave penale.
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka thënë se rekomandimet e shoqërisë civile janë marrë parasysh dhe janë inkorporuar në projekt-ligj. Sqarojmë opinionin publik se rekomandimet që Forumi i 10 OJQ-ve i ka paraqitur kohë më parë, nuk janë marrë parasyshë dhe se ky projekt-ligj është hartuar në kundërshtim me rekomandimet tona.
Dispozitat kryesore që përmban ky projekt-ligj janë të rregulluara me legjislacionin e zbatueshëm në Kosovë (Kodin Penal të Kosovës). Duke u bazuar në këtë fakt, Forumi ka nxjerrur këto rekomandime:
1. Duhet ndryshuar emri i draft-ligjit, i cili në të njejtën kohë reflekton në fushëveprimin dhe qëllimin e këtij draft-ligji. Forumi rekomandon që kualifikimi pasuritë e fituara me kryerjen e veprës penale, të ndryshohet me pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme (edhe për rastet kur nuk ka të bëjë me vepër penale).
2. Pasuria e përfituar në mënyrë të paligjshme të vërtetohet nga i dyshuari, e jo sipas detyrës zyrtare. Me bartjen e barrës së provës tek të dyshuarit, do të rritej mundësia e luftimit më efikas të krimit të organizuar dhe pasurisë së paligjshme. Një përvojë e tillë çfarë rekomandon Forumi paraqitet edhe në shtetet e rajonit, si Shqipëria, Sllovenia e Bullgaria.
3. Ky draft-ligj do të duhej të zbatohej edhe për pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme të personave të dyshuar, të krijuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, pra të lejohej retroaktiviteti tij.
4. Sygjerohet krijimi i mekanizmave të vaçanta brenda institucioneve ekzistuese (polici, prokurori, gjykata) me qëllim të zbatimit më efikas të legjislacionit të kësaj fushe.
Nëse ky ligj kalon si i tillë sikurse është sot, nuk ndihmon në luftimin e krimit të organizuar dhe konfiskimin e pasurive të fitura në mënyrë të kundërligjshme.
Në një formë të tillë, ky ligj do të amnistojë të gjithë personat që pas lufte e tutje kanë krijuar pasuri milionëshe nga asgjë. Pra, ky projekt-ligj më tepër shihet si legalizim i pasurive të paligjshme të krijuara deri me tani nga persona të caktuar, sidomos të nivelit të lartë politik, se sa e kundërta.
Forumi Këshillues i bën thirrje Kuvendit të Kosovës, gjegjësisht Komisionit për Legjeslacion që të jetë i hapur dhe të pranojë inkorporimin e këtyre rekomandimeve në këtë projekt-ligj, në mënyrë që të ndertojmë një ligj që do të jetë i implementueshëm dhe i efektshëm në rregullimin e kësaj fushe, e cila së bashku me korrupsionin po e shkatërrojnë shoqërinë kosovare.