MD dhe Prokuroria Speciale me memorandum mirëkuptimi
Prishtinë, 7 tetor Ministri i Drejtësisë, Haki Demolli dhe kryeprokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Isabelle Arnal, nënshkruan memorandum mirëkuptimi.
Ky memorandum mirëkuptimi i nënshkruar në mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë Speciale të Kosovës, është një marrëveshje teknike që për qëllim ka rregullimin e përgjegjësive për përdorimin, administrimin teknik dhe mirëmbajtjen e bazës së të dhënave të Sistemit për Menaxhimin e Rasteve të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Pas nënshkrimit të këtij Memorandumi, ministri Demolli dhe kryeprokurorja Arnal, thanë së ky bashkëpunim është vetëm njëri nga shumë bashkëpunimet e këtyre dy institucioneve, që për qëllim ka parandalimin e luftimin e krimit dhe forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
Në bazë të këtij memorandumi të mirëkuptimit, përgjegjësit e stafit të EULEX-it që punojnë në Prokurorinë Speciale të Kosovës, të cilat do të mbikëqyren nga Kryeprokurorja e Prokurorinë Speciale të Kosovës, janë të drejtat për përdorim të përgjegjshëm të bazës së të dhënave, të krijimit dhe ruajtjes së dokumenteve lidhur me rastet që punohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Ndërsa Ministria e Drejtësisë, përveç ndihmës në instalimin e softuerëve të zhvilluar të bazës së të dhënave, duhet të merr përsipër përgjegjësinë e parashikimit dhe sigurimit të fondeve buxhetore në bashkëpunim me Prokurorin Speciale të Kosovës, për përmirësimin e softuerëve si dhe shtimin e moduleve të bazës së të dhënave, për mirëmbajtjen e serverëve dhe sigurimin e dhomës së serverëve.