Mbrojtja e gruas mbrojtje e familjes dhe shoqërisë
Prishtinë, 8 mars - Në Universitetin Amerikan të Kosovës, për nder të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, është mbajtur një ligjëratë për pozitën dhe kontributin e gruas në shoqërinë kosovare, ku ishin të pranishëm Zonja e parë e Republikës së Kosovës, Nezafete Sejdiu, ambasadori William Woker, Flora Brovina deputete dhe Sanije Murati nga organizata joqeveritare Lajdi.
Fillimisht, duke e hapur e këtë veprimtari, znjsh. Shqipe Mjekiqi, këshilltare e Presidentit Sejdiu, tha se me moton Të drejta të barabarta, mundësi të barabarta dhe progres për të gjithë, Kombet e Bashkuara vazhdojnë edhe sot punën për promovim sa më të madh të të drejtave të grave, sidomos në vendet ku këto të drejta nuk kanë arritur një nivel të duhur të përfaqësimit.
Të pranishmëve, me një fjalë rasti iu drejtua Zonja e parë e shtetit, Nezafete Sejdiu, e cila që nga viti 1999 është angazhuar si bashkëpunëtore e jashtme e organizatës Gratë për Gratë në Kosovë.
Zonja Sejdiu, duke folur për rolin dhe kontributin e vazhdueshëm të gruas në shoqërinë kosovare tha: Është nder për mua të jem sot me ju në Universitetin Amerikan të Kosovës, për të shënuar këtë ditë ndërkombëtare të gruas, e cila kudo në botë mbledh avokues të të drejtave të grave, në shenjë mirënjohjeje për arritjet e tyre. Sot, ne në Kosovë, mblidhemi dhe shfrytëzojmë rastin të reflektojmë për gjendjen e grave në Kosovë, duke ngritur edhe një herë vëmendjen për dukuritë negative të cilat ende rëndojnë mbi ne.
Zonja e parë e shtetit tha se përgjithësisht në vendin tonë ka ndryshime sa i përket pozicionit të gruas dhe përfaqësimit të saj institucione.
Në Kosovë janë bërë disa ndryshime sa i përket përfaqësimit të grave në institucionet publike, 30 % e përfaqësimit të tyre në Kuvend, që u mundëson atyre qasje më të drejtpërdrejtë në politikbërje, është një model shumë i mirë i përfaqësimit që buron nga demokracitë më të avancuara të botës tha Znj. Sejdiu.
Por, përkundër kësaj ecjeje dhe këtyre zhvillimeve që janë shënuar në respektimin dhe plotësimin e të drejtave të grave në shoqërinë tonë, znj. Sejdiu tha se ende ka sfida të shumta, me të cilat duhet të ballafaqohemi në të ardhmen.
Megjithatë sfidat janë të shumta. Nga të dhënat e UNDP-së për Kosovë, niveli i vijueshmërisë së mësimit në arsimin e ultë dhe të lartë, mbetet i ulët dhe grupi më i margjinalizuar mbeten vajzat, të cilat për shkaqe të ndryshme ndërpresin mësimin në moshë shumë të re. Nivel i lartë i margjinalizimit ekziston edhe sa i përket papunësisë, që gjithashtu prek femrat për afro 20% më shumë se meshkujt, tha Zonja e parë e shtetit.
Ajo sugjeroi që të inkurajojmë vijimin e mësimit të lartë për vajzat e reja dhe tu ofrohen kushte për një vijim sa më të lehtë, së dyti duhet të krijohen mundësi punësimi për ato apo në raste të tjera tu ofrohen atyre trajnime profesionale.
Arsimi dhe punësimi do të krijonin një pavarësi ekonomike të gruas, e cila do të jetë në gjendje vetë të ngrejë zërin e saj dhe të punojë për realizimin e të drejtave të saj. Vetëm kur ajo mund të jetë e pavarur ekonomikisht, mund të luftoj në mbrojtje të të drejtave të saj, e kundërta do të sjellë një gjendje të pakëndshme duke i shtyrë ato të ndjekin rrugë që nuk i përcaktojnë ato vetë.
Mbrojtja e gruas do të siguroj, mbrojtjen e familjes dhe të shoqërisë në tërësi, prandaj të gjithë duhet të bashkëpunojmë në respektimin e të drejtave që u takojnë, kjo do ti ndihmojë zhvillimit njerëzor dhe shoqëror të Kosovës, e cila synon integrimin në familjen e gjerë të demokracive ne europë dhe botë tha Zonja e parë e shtetit, Nezafete Sejdiu.
Ambasadori William Woker u paraqit me një fjalë përshëndetëse duke i përgëzuar dhe uruar për ditën e grave.
Që nga dita e parë e qëndrimit të tyre në kampet e Maqedonisë dhe të Shqipërisë, përveç obligimeve të tyre ato u përkujdesen për shëndetin e të sëmurëve, u përkujdesën për fëmijët, u përkujdesën vazhdimisht për ushqim, fjetje dhe gjëra të tjera. Derisa burrat pinin makiato, pinin duhan dhe flisnin për politikë dhe çështje të tjera, gratë u organizuan në kamp, organizuan shkollat për fëmijë, përkujdesje për më të moshuarit dhe me të vërtetë isha shumë, shumë i impresionuar nga puna që bënin tha Ambasadori Woker.