Mbretëresha e Holandës uroi Presidenten Jahjaga
Prishtinë, 14 prill - Mbretëresha e Holandës, Beatrix R. i ka dërguar një mesazh urimi Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Me rastin e zgjedhjes suaj si Presidente e Republikës së Kosovës, Ju dërgoj urimet më të mira dhe ju dëshiroj sukses në kryerjen e kësaj detyre shumë të lartë, shkruan në urimin e saj Mbretëresha Beatrix R.
Mesazhin e urimit, Presidentes Jahjaga ia ka përcjellë ambasadori i Holandës në Republikën e Kosovës, Robert Bosch, i cili përsëriti edhe një herë përkushtimin e vendit të tij për vazhdimin e përkrahjes për vendin tonë dhe zgjerimin edhe më tej të marrëdhënieve shumë të mira ekzistuese mes të dy vendeve tona.
Presidentja Jahjaga falënderoi ambasadorin Bosch për urimin e Mbretëreshës dhe theksoi se Kosova është falënderuese për ndihmën që Holanda i ka dhënë vendit tonë.
Ajo gjithashtu theksoi se Kosova ka nevojë për ndihmë, sidomos në fazën në të cilën ndodhet tani, kur ka nevojë për shtimin e numrit të njohjeve, por edhe për anëtarësimin sa më të shpejtë në institucionet ndërkombëtare.