Mbrëmje bamirësie për \'Down Syndrome Kosova\'
Prishtinë, 18 mars - Shoqata Down Syndrome Kosova (DSK) do ta organizojë nesër një mbrëmje bamirësie, e cila do të mundohet të mbledh fonde për ndërtimin e qendrës, që do të ofrojë shërbime për komunitetin dhe fëmijët e prekur me sindromën Down.
Të gjithë ata që do të mund të kontribuojnë do të mblidhen nesër në orën 19:30, në hotelin Swiss Diamond.
Down Syndrome Kosova i fton të gjithë personat që kanë mundësi që ta shprehin ndihmën, solidaritetin dhe kontributin për plotësimin e nevojave elementare të komunitetit të prekur me sindromin Down.
Në një komunikatë për media të kësaj organizate, është thënë se në këtë mbrëmje të pranishëm do të jenë përfaqësues të institucioneve, përfaqësues nga komuniteti i biznesit dhe shumë të ftuar të tjerë që kanë shprehur gatishmërinë për tju ndihmuar fëmijëve me sindromën Down.
Kjo mbrëmje do të udhëhiqet nga moderatori Adi Krasta, me ankand dhe program artistik nga artistët e mirënjohur: Kastriot Tusha, Elizabeta Krasniqi, Liridon Sadriu, Adelina Paloja, Adelina Thaçi, Sanije Matoshi, Luan Durmishi, grupi Art Dizajn dhe orkestra me muzikantë të njohur, në drejtimin e Blerim Emerllahut.
Mbrëmja do të transmetohet drejtpërdrejt nga Radio Televizioni i Kosovës e një transmetim të tillë do ta bëjë edhe AA Vision në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërsa, për të gjithë ata që duan të ndihmojnë dhe të dhurojnë të holla, mund të thërrasin në këta numra: 038/ 610-715 apo të dërgojnë sms në numrin: 55 244.
DSK-ja në komunikatën e saj ka theksuar se kjo mbrëmje është e organizuar nën udhëheqjen e organizatës Down Syndrome Kosova me përkrahje të grupit organizativ i përbërë nga persona që kanë dhënë kontributin e tyre në formë vullnetare.
Pothuajse gati e gjithë mbrëmja është organizuar falas, në kuadër të partnerëve tanë si Swiss Diamond Hotel e shumë të tjerë. Në këtë kontekst besojmë se shumë persona mund të kontribuojnë drejt ndërtimit të qendrës për komunitetin e fëmijëve me sindromin Down, është thënë në komunikatë.