28 Prill 2024

Mbledhja plenare e Kuvendit mbahet më 26 janar

Prishtinë, 23 janar - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e përbashkët  me shefat e grupeve parlamentare, të drejtuar nga  dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka përcaktuar rendin e ditës për mbledhjen plenare të 26 janarit.

Pas shterimit të pikave të përhershme të rendit të ditës së seancave të rregullta: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, deputetët në këtë mbledhje plenare do të shqyrtojnë për herë të parë: Projektligjin për personat e verbër dhe personat pjesërisht të verbër, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme, Projektligjin për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e kodit  doganor dhe akcizave.

Nëse deri me 24 janar komisionet parlamentare të Kuvendit të Kosovës arrijnë të shqyrtojnë përgatisin raportet me rekomandime për projektligjet në procedurë parlamentare, atëherë në  seancën e 26 janarit do të shqyrtohet për herë të dytë Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave, kurse për herë të parë do të shqyrtohen edhe disa projektligje të tjera.

Duke e shqyrtuar Programin legjislativ i Qeverisë së Republikës së Kosovës, për vitin 2012, i cili u është shpërndarë deputetëve më 18 janar 2012 (për njoftim), Kryesia i ka ngarkuar komisionet parlamentare që mbi bazën e Programit  legjislativ  të Qeverisë dhe të propozimeve të veta, deri më 31 janar 2012, t`i hartojnë planet e punës periodike dhe Programin e punës së komisioneve për vitin 2012.

Kryesia, ndërkaq, e ka ngarkuar Sekretaria e Kuvendit që deri më 6 shkurt, në bazë të planeve të punës së komisioneve parlamentare, ta hartojë Projekt-Programin e punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, për vitin 2012,  i cili me propozim të Kryesisë së Kuvendit i procedohet Seancës plenare për miratim.

Programin legjislativ i Qeverisë do të shqyrtohet për miratim në seancën vijuese të Kuvendit, por kryeparlamentari Krasniqi ka tërhequr vëmendjen që radhëve të tjera Qeveria ta hartojë me kohë Programin legjislativ të saj, në mënyrë që ai të miratohet në mbledhjen e parë të sesionit pranveror. Është kërkuar gjithashtu që  të gjitha projektligjet e hartuar nga Qeveria t’i arrijnë Kuvendit (suksesivisht) deri me 1 qershor të këtij viti.

 Kryesia po në mbledhjen e sotme ka emëruar deputeten Myferra Shinik kryetare të e Grupit të Miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Grupet parlamentare të Kuvendit kanë propozuar nga një anëtar të këtij Grupi të Miqësisë, kurse grupi do ta emërojë nënkryetarin e tij, si dhe një sekretar administrativ nga radha e zyrtarëve të administratës.

Kryesia është njoftuar lidhur me vizitën zyrtare, të realizuar në Turqi, nga  Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)