Mbledhja plenare e Kuvendit mbahet më 20 janar
Prishtinë, 11 janar - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të parë në sesionin pranveror, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që mbledhja e parë plenare e Kuvendit, në këtë sesion, të mbahet më 20 janar, si dhe ka përcaktuar rendin e ditës për këtë seancë.
Kryesia pas një debati të gjerë lidhur me kërkesën e Komisionit ad-hoc për Amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për mandat të ri, që ka të bëjë me ndryshimin e nenit 84 të Kushtetutës së Kosovës lidhur me qartësimin e kompetencave të presidentit të Kosovës, si dhe për ndryshimin e dispozitave kalimtare për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, ka vendosur që çështjen tia adresojë seancës plenare të 20 janarit.
Kryeparlamentari Krasniqi kërkesën e Komisionit ad-hoc e ka quajtur jo të plotë, kurse shumica e nënkryetarëve dhe të shefave të grupeve parlamentare krijimin e këtij komisioni e kanë quajtur praktikë jo të mirë, që ishte rrjedhojë e një marrëveshjeje, ndërmjet partish, për zgjedhjen e presidentit.
Shumica nga diskutuesit në këtë temë janë pajtuar se ka nevojë të ndryshohet neni 84 i Kushtetutës, që të qartësohen kompetencat e presidentit dhe ato të kryeministrit të Kosovës, por kanë tërhequr vëmendjen se ndryshimi gjithsesi reflekton në çdo faqe të Kushtetutës dhe implikon raporte të reja ndërmjet institucioneve të Kosovës.
Ka pasur zëra, ndërkaq, që ndryshimet duhet të jenë më gjithëpërfshirëse (duke e specifikuar nenin 65, për mënyrën e zgjedhjes së presidentit në Kuvend, pastaj paragrafët për sistemin zgjedhor në Kosovës etj.). Të gjithë pjesëmarrësit në këtë debat, ndërkaq, janë pajtuar se Komisioni ad-hoc nuk mund të ketë kompetencë për shqyrtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me mbikëqyrjen e pavarësisë së Kosovës. Këto shqetësime dhe dilema pritet të shprehen edhe në mbledhjen plenare të Kuvendit, kur çështja të shtrohet për shqyrtim.
Në të njëjtën seancë pritet të ratifikohet Marrëveshja financiare në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Gjermane për Zhvillim KfW për përmirësimin e sistemeve të ngrohtores qendrore.
Në vazhdim të seancës, ndërkaq, do të shqyrtohen për herë të parë: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare, kurse për herë të dytë do të shqyrtohet Projektligji për rregullimin e tokës.
Si edhe në seancat e tjera të rregullta të Kuvendit do të shterohen edhe pikat e përhershme: çështje jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës