Mbledhja konstituive e Kuvendit mbahet më 24 shkurt
Prishtinë, 10 shkurt - Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pas takimit të sotëm të kryesisë së Kuvendit me përfaqësuesit e subjekteve politike, që kanë fituar ulëse në parlament, nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, deklaroi se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, do të mbahet më 24 shkurt.
Sipas Krasniqit, seanca e 24 shkurtit do të jetë konstituive dhe do të zgjidhet kryetari i ri i Parlamentit dhe organet tjera.
Megjithë paralajmërimet për konstituimin e Kuvendit para datës 17 shkurt përvjetorit të tretë të Pavarësisë, ushtruesi i detyrës së Presidentit, tha se janë rrethanat politike ato që kanë diktuar edhe afatet kohore të konstituimit të institucioneve.
Presidenti në detyrë Krasniqi nuk deshi ta komentojë mundësinë se a do të jetë në postin e presidentit të Kosovës, duke thënë se, për këtë dhe koalicionin vendos partia.
Ndërkaq lidhur me pohimet se deputetët e Vetëvendosjes do të bëjnë një betim ndryshe, Krasniqi tha se, sa i përket kësaj çështjeje, nuk do të ketë shkelje të dispozitave ligjore, sepse të gjithë kanë hyrë në zgjedhje duke respektuar Kushtetutën në fuqi.
Në takimin e sotëm të kryesisë së Kuvendit, morën pjesë përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së, VV, AAK, AKR dhe partitë minoritare.