Mbledhja e qeverive të Kosovës e Shqipërisë thellon bashkëpunimin
Prishtinë, 27 shkurt Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Hashim Thaçi, sot priti në takim homologun shqiptar, Ditmir Bushati, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Kosovë.
Zëvendëskryeministri Thaçi falënderoi ministrin Bushati për mbështetjen e çmuar që shteti shqiptar po i jep Kosovës në konsolidimin dhe forcimin e shtetit, por edhe për kontributin e saj të rëndësishëm në procesin e njohjeve dhe në afirmimin e përgjithshëm të vendit tonë në arenën ndërkombëtare.
Thaçi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërfqinjësor për Kosovën dhe shtoi se Kosova mbetet e përkushtuar për anëtarësimin e saj në mekanizmat rajonalë, evropianë dhe botërorë, tani kur ajo është bërë pjesë e Bankës Botërore, FMN-së dhe BERZH-it.
Kosova mbetet e përkushtuar në zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, si parakusht për anëtarësimin e saj në BE, NATO dhe OKB, tha Thaçi.
Ndërsa, për mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive, zëvendëskryeministri Thaçi tha se me 23 mars do të thellohet bashkëqeverisja strategjike dhe do të bisedohet për avancimin dhe bashkëpunimin ndërshtetëror në fushat e ekonomisë, politikës, kulturës, sportit.
Në anën tjetër, ministri i jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, theksoi se Republika e Shqipërisë mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes dy vendeve dhe se Tirana e Prishtina po i bashkërendojnë veprimet për mbledhjen e dytë të përbashkët, ku palët do ti analizojnë edhe rezultatet e mbledhjes së parë.
Bushati tha se Shqipëria dhe Kosova kanë nënshkruar marrëveshje për lehtësimin e shkëmbimit tregtar, por se mbetet ende punë për të korrur fryte në praktikë dhe se dy vendet po punojnë për një program afatgjatë në fushat e kulturës dhe arsimit.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, tha se të dy qeveritë po i sinkronizojnë aktivitetet, si në rrafshin e bashkëpunimit bilateral, ashtu edhe në atë rajonal dhe ndërkombëtar. Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës është i një roli strategjik, stabilizues dhe orientues për të ardhmen e dy vendeve, por edhe për rajonin në përgjithësi, u shpreh Bushati.
Ai theksoi se do të ketë një bashkëpunim të posaçëm në fushën e sigurisë dhe se do të ndërtohet një raport i ri institucional, për ti ndihmuar Kosovës në aspiratën e saj për tiu bashkuar NATO-s. Ndërsa, duke folur për bashkëpunimin rajonal,
Bushati tha se pas konferencës për Ballkanin Perëndimor të mbajtur në Berlin dhe në prag të konferencës së dytë, e cila do të mbahet në Vjenë, Kosova do të kthehet në qendër të vëmendjes, kur më 25 mars do të organizojë samitin e ministrave të jashtëm dhe të infrastrukturës së Ballkanit Perëndimor, gjë që sipas Bushatit, pa dyshim se dëshmon qasjen euro-atlantike të Kosovës.