Mbi 10 vjet Parlamentarizëm në Kosovë
Prishtinë, 16 shtator - Kuvendi i Kosovës ka hyrë në dekadën e dytë të funksionimit të tij. "Ky institucion në rrugëtimin e tij mbi 10 vjeçar, ka pasur një proces evolutiv të zhvillimit, duke filluar nga sfidat e konstituimit, funksionimit të tij me kompetenca të kufizuara gjatë periudhës nën administrimin ndërkombëtarë, e deri tek mungesa e integritetit për shkak të përpjekjeve të vazhdueshme të ekzekutivit të vendit për ta kontrolluar dhe shfrytëzuar Kuvendin si një instrument për legalizimin e vendimeve të saja", thuhet në raportin e Institutit Demokratik të Kosovës, Mbi 10 vjet Parlamentarizëm.
Raporti i cili do të publikohet sot në Prishtinë vlerëson se legjislaturat e dala nga zgjedhjet parlamentare si dhe institucionet tjera që u zgjodhën më pas, pothuajse tërë energjinë e tyre e koncentruan në ndërtimin dhe konsolidimin institucional.
Megjithatë sipas raportit kjo periudhë nxori në sipërfaqe shumë probleme në të gjitha sektorët e rëndësishëm. Sendërtimi i demokracisë dhe funksionaliteti i institucioneve më të rëndësishme shtetërore, si Parlamenti dhe Qeveria, si dhe raporti reciprok mes tyre, shpesh dëshmoi për tendencë dirigjimi dhe mungesë integriteti përkundër dispozitave kushtetuese që e garantojnë atë.
Raporti thekson se mos gatishmëria e Qeverisë për respektim të vendimeve të Kuvendit, gjithnjë e më tepër po bëhet dukuri që po instalohet në jetën politike dhe institucionale të vendit.
Me një kontroll sipërfaqësorë parlamentar, me një proces ligjbërës pa konsultime të nevojshme me publikun, me një transparencë gjysmake dhe me një rol jo edhe aq përfaqësues të interesave të qytetarëve, Kuvendi i Kosovës edhe më tutje po dëshmon se ka deficit të kulturës politike dhe parlamentare në kryerjen e obligimeve dhe mandatit kushtetues që ka. Instalimi i kësaj kulturë politike nuk garanton praktika dhe standarde të një demokracie transparente gjithëpërfshirëse dhe llogaridhënëse.
Duke pasur parasysh rëndësinë e madhe që ka Kuvendi i Kosovës në sistemin politik të vendit, Forum 2015 ka vendosur që ta organizojë një konferencë ku do të trajtohen sfidat që i ka kaluar ky institucion gjatë dekadës së parë të funksionimit të tij si dhe nevojën për të reflektuar në dekadën e ardhshme.
Në këtë konferencë do të trajtohen gjetjet e një dokumenti të përgatitur nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ku ky Institut ka tentuar të ofrojë një pasqyrim objektiv dhe profesional mbi punën dhe sfidat e Kuvendit të Kosovës në dekadën e parë të funksionimit demokratik.
Funksionalizimi dhe fuqizimi i tij mbi parimet kushtetuese, jo vetëm që do të ndihmonin rolin dhe angazhimin e tij, por do të ndihmonte ndërtimin dhe fuqizimin e institucioneve demokratike në vend.