Mbështetja e Sllovenisë për Kosovën do të jetë e gjithanshme
Pasi u falënderua për pritjen e ngrohtë, ministri i Drejtësisë i Sllovenisë theksoi se mbështetja e Sllovenisë për Kosovën do të vazhdojë të jetë e
gjithanshme, posaçërisht në fushën e drejtësisë.
Ales Zabar në vijim ofroi ndihmën e Sllovenisë edhe në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryekuvendari Krasniqi e njoftoi, Ales Zabar, me punën dhe përbërjen e Legjislaturës së Katërt, konstituimin e organeve pas zgjedhjeve, si dhe stabilitetin institucional.
Ai theksoi se në Kosovë funksionon ndarja e pushteteve sipas Kushtetutës, ndërsa bazat e sistemit të reformës përqendrohen në fushën ligjore, organizative dhe kadrovike.
Në vazhdim kryekuvendari Krasniqi foli për miratimin e pakove të ligjeve për gjykatat,për prokuroritë, pastaj Ligjit për Këshillin Gjyqësor dhe atë për Këshillin Prokurioal.
Me këto reforma, tha kreu i legjislativit të vendit, synohet arritja në një nivel më të lartë e përgjegjësisë institucionale.
Krasniqi foli pastaj edhe për bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian, si : EULEX-in, si dhe për bashkëpunimin ndërparlamentar Kosovë- Slloveni.
Sa i përket bashkëpunimit ndërparlamentar u përmend ndihma e shtetit slloven në kuadër të Konzorciumit Francë-Gjermani-Belgjikë-Slloveni, për ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës.
Ndihma sllovene në kuadër të bashkëpunimit ndërparlamentar drejt integrimit euroatlantik u vlerësua lart.
Kryekuvendari Krasniqi ndihmën e ofruar nga Sllovenia në bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë e vlerësoi të mundshme dhe të mirëseardhur.