Mbështetja e Shqipërisë për Kosovë do të jetë e vazhdueshme
Prishtinë, 16 dhjetor - Ambasadori Minxhozi i përcjelli kryeministrit Mustafa urimet nga Qeveria e Shqipërisë me rastin e zgjedhjes në pozitën e Kryeministrit dhe për krijimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, ambasadori Minxhozi ka theksuar se zhvillimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, do ti kontribuojë krijimit të klimës së stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon dhe procesit të integrimit në strukturat euroatlantike.
Mbështetja e Shqipërisë do të jetë e vazhdueshme, për të gjitha proceset pozitive që po zhvillohen aktualisht në Kosovë, ka theksuar ambasadori Minxhozi.
Në takim është vlerësuar i rëndësishëm thellimi i bashkëpunimit edhe më tej në të gjitha sferat, në të mirë të mirëqenies së qytetarëve, por edhe në të mirë të zhvillimit dhe stabilitetit të rajonit.
Kryeministri Mustafa ka theksuar se Qeveria e re e Kosovës do të vazhdojë ndërtimin e bashkëpunimit dhe partneritetit strategjik midis Kosovës dhe Shqipërisë. .