28 Prill 2024

Mbështetja e Norvegjisë për Kosovën do të zgjerohet

Prishtinë, 12 tetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në një takim njohës, ambasadorin e ri të Norvegjisë në Republikën e Kosovës, Jan Braathu.

Në takim është diskutuar për aktualitetin kosovar, për bashkëpunimin mes dy vendeve, për thellimin e këtij bashkëpunimi, si dhe për përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e agjendës evropiane.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi pasi i dëshiroi sukses në misionin e ri të ambasadorit të Norvegjisë në Prishtinë, e njoftoi z. Braathu me të arriturat e institucioneve të Kosovës, me përkushtimet institucionale për fuqizimin e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës dhe për reformat e gjithëmbarshme, në funksion të mirëqenies sociale dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Kryeministri Thaçi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Norvegjisë dhe në këtë kontekst vlerësoi lartë mbështetjen e Qeverisë së Norvegjisë për Kosovën në të gjitha fushat. Z. Thaçi shprehu gatishmërinë që ky bashkëpunim të forcohet edhe më tej, në interes të të dyja vendeve.

Duke folur për përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e të gjitha kritereve dhe standardeve në kuadër të procesit të integrimit evropian të Kosovës, kryeministri Thaçi theksoi se agjendë kryesore e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës është përmbushja me sukses e agjendës evropiane të integrimit dhe në këtë kontekst vetëm sa do të thellohen angazhimet institucionale.

Nga ana e tij, ambasadori i ri i Norvegjisë në Republikën e Kosovës, Jan Braathu i shprehu falënderimet e tij dhe të Qeverisë së Norvegjisë për bashkëpunimin e kryeministrit Thaçi dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe theksoi se mbështetja e Norvegjisë për Kosovën do të zgjerohet edhe më shumë, në funksion të zhvillimit dhe avancimit të proceseve demokratike në Kosovë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)