Mbahet takimi për reformat në sistemin prokurorial
Prishtinë 24 gusht - Sot, në Ministrinë e Drejtësisë është mbajtur takim me përfaqësues të Prokurorisë së Shtetit, Prokurorisë Speciale, përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së, Zyrës së BE-së dhe UNDP-së si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, me ç'rast është diskutuar për reformat në sistemin prokurorial të Kosovës.
Gjatë këtij takimi me fokus të veçantë është diskutuar për ndryshimet e nevojshme legjislative në sistemin prokurorial, bazuar në rekomandimet që kanë dalë nga procesi i Rishikimit Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit, si dhe Strategjia për Sundimin e Ligjit, siç është përbërja e Këshillit Prokurorial, duke përfshirë numrin e anëtarëve dhe procesin për emërimin e anëtarëve të KPK-së.
Po ashtu gjatë këtij takimi është diskutuar dhe për kompetencat e Prokurorisë Speciale me fokus të veçantë në hetimin e veprave penale të korrupsionit të nivelit të lartë, me qëllim të rritjes së efikasitetit të kësaj prokurorie në këtë fushë si dhe për sfidat e vështirësitë e sistemit prokurorial dhe mundësitë e adresimit të tyre.