Mbahet takimi për Menaxhimin e Integruar të Kufirit
Bruksel, 14 shkurt - Në Bruksel, më 13 dhe 14 shkurt 2012, u mbajt takimi në mes të ekspertëve nga Kosova me ata të Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE, me qëllim të hartimit dhe finalizimit të protokollit teknik për zbatimin e Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM), siç e parasheh edhe marrëveshja e arritur mes dy shteteve me garancat e BE-së.
Pala e Kosovës edhe kësaj radhe ka dhënë kontributin profesional për hartimin dhe finalizimin e protokollit dhe më këtë rast ka këmbëngulur që zbatimi i marrëveshjes së IBM-së të fillojë sa më parë dhe të jetë në frymën e standardeve më të mira të BE-së.
Përmes zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, Kosova do të përmbush një nga obligimet evropiane për përafrim me BE-në, në veçanti për liberalizmin e vizave si dhe do të rritë sigurinë dhe kontrollin kufitar.
Zbatimi i kësaj marrëveshje do të lehtësojë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave dhe do të ndikojë në luftimin e dukurive negative siç janë kontrabanda dhe informaliteti.
Ekipi i ekspertëve të Kosovës përbëhej nga Lirim Greiçevci - koordinator i çështjes së IBM-it, Dren Zeka këshilltar politik i Zëvendëskryeministres Edita Tahiri, Naim Huruglica - drejtor i Doganave të Kosovës, Shaban Guda - drejtor i policisë kufitare dhe Valdet Gjinovci - kryeshef i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës.