Mbahet takimi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur
Prishtinë, 11 korrik - Në takimin e sotëm, Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj, para anëtarëve të Komisionit dhe akterëve, të cilët janë të përfshirë në këtë proces, paraqiti raportin përmbledhës për rrjedhat dhe zhvillimet, që kanë qenë në varrezën masive të Rashkës, por edhe kërkesat për hapat e mëtutjeshëm.
Kryesuesi Gjetaj duke iu referuar të dhënave zyrtare sipas ekspertëve mjekoligjorë nga Republika e Kosovës, të angazhuar në punimet profesionale në rastin e Rudnicës, njoftoi të pranishmit se deri më tani janë zhvarrosur mbetjet mortore të 45 individëve, si dhe 86 pjesë kockore, dhe janë dërguar për analizë të ADN-së, 156 mostra nga këto mbetje mortore.
Po ashtu, Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, njoftoi se Komisioni Qeveritar dhe delegacioni ynë në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, janë në pritje të përgjigjes nga pala serbe rreth mbajtjes së një takimi ad-hoc të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, meqë kërkesa zyrtare për këtë takim i është dërguar Kryesueses së këtij Grupi Punues, qysh me datë 4 korrik 2014. Është mese e nevojshme të mbahet takimi urgjent i Grupit Punues për Persona të Zhdukur, në mes të të dy palëve, për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në Rudnicë, dhe përgatitjeve rreth mundësisë se fillimit me procedurat e riatdhesimit për rastet që do të identifikohen përmes analizës shkencore të ADN-së, shtoi Gjetaj.
Gjatë takimit, anëtarët e Komisionit, edhe njëherë shprehën gatishmërinë që Komisioni Qeveritar i Republikës së Kosovës për Persona të Zhdukur të përkrah edhe financiarisht vazhdimin e punimeve, nëse kjo është e nevojshme, meqë deri më tani arsyeja e dhënë nga pala serbe, e ndërprerjes së punimeve, mbesin mungesa e mjeteve financiare.
Ne kemi bërë përpjekje të njoftojmë ata të cilët kanë ndikim në shumë procese, pra edhe në këtë çështje, përfaqësuesit e ambasadës amerikane në Prishtinë, dhe përfaqësuesit e BE-së, z. Zhbogar, të cilit familjarët këtë javë ia shprehën shqetësimin për ndërprerjen e punimeve në varrezën e Rashkës, ka thënë kryetari i Komisionit qeveritar, Prenk Gjetaj, duke shtuar se në takimet e me parmë me palën serbe, si dhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, jemi deklaruar se kemi gatishmëri edhe financiarisht për ta përkrahur ndonjë projekt i cili qon në ndriçimin e fatit për personat e zhdukur.
Në takimin e sotëm është shqyrtuar edhe përgatitjet për shënimin e 30 Gushtit, Ditës Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur.
Po ashtu, në takimin e sotëm, anëtarët e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, kanë dhënë pëlqimin për procedim të mëtutjeshëm të kërkesës së Komunës së Gjakovës, për përkrahje financiare në ndërtimin e Memorialit të Martirëve, në Mejë.
Në përmbyllje të takimit, sipas kërkesës së përfaqësuesit të Shoqatave Familjare të Personave të Zhdukur, në Komision, Bajram Qerkinaj, që krahas punimeve në Rastin e Rudnicës / Rashkës, të vazhdohet edhe me hetimin dhe gërmimet edhe në lokacionet e dyshuara për varreza të mundshme masive, në territorin e Kosovës.
Pas prezantimit nga ana e Drejtorit të Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, të procedurave të nevojshme që duhet të respektohen në raste të tilla, është vendosur që një delegacioni nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, gjatë javës së ardhshme të takojë përfaqësuesit e institucioneve kompetente, me qëllim të procedimit të mëtutjeshëm të kërkesave dhe dëshmive të shumta të dorëzuara nga familjet dhe shoqatat familjare të personave të zhdukur.