Mbahet takimi Grupit Punues të KQZ-së
Prishtinë, 1 prill - Në vazhdim të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, pas hartimit të Strategjisë për përmirësimin e Listës së Votuesve, sot është mbajtur takimi i parë i Grupit Punues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe atij Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Në takim u diskutua për procesin e pajisjes së qytetarëve të Republikës së Kosovës me dokumente biometrike të identifikimit dhe zbatimin e sistemit të ri të adresa në Regjistrin Qendror Civil dhe aspektet e këtij sistemi, që lidhen me caktimin e saktë të votuesve nëpër Qendra të Votimit.
Gjithashtu, në këtë takim të parë, u diskutua edhe për procesin e skanimit dhe digjitalizimit të librave amë të të vdekurve dhe heqja e emrave të personave të vdekur të akumuluara gjatë viteve 2000 2010.
Lidhur me këto dy çështje, nga të dyja Grupet Punuese janë konstatuar dhe identifikuar këto çështje:
Nga raportet e ofruara nga Grupi Punues i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) që nga data 10 dhjetor 2013 dhe deri më sot, rreth gjashtëdhjetë e katër mijë (64 000) qytetarë të Republikës janë pajisur me dokumente biometrike të identifikimit. Kurse, sa i përket implementimit të sistemit të ri të adresave, u bë e ditur se ende nuk ka filluar implementimi i tij.
Kjo do të thotë se, gjatë pajisjes së qytetarëve të Republikës së Kosovës me dokumente biometrike të identifikimit, ende po iu vendosen adresat aktuale, ngase ende nuk ka filluar lidhja e sistemit të ri të adresave (nga Agjencioni Kadastral i Kosovës) me Regjistrin Qendror Civil, ku kjo do ta bënte të mundur vendosjen e saktë të adresave, në mënyrë që kjo pastaj do të shërbente në caktimin e saktë të votuesve nëpër qendra të votimit.
Lidhur me këtë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për të ardhmen do ta realizoj projektin që ka të bëjë me zhvillimin e ueb aplikacionit online për ndryshimin e Qendrave të Votimit, ku të gjithë votuesit do të kenë mundësi që të përcaktohen se në cilën Qendër të Votimit dëshirojnë të votojnë.
Sa i përket emrave të personave të vdekur të lajmëruar nga familjarët e tyre, por të cilët për shkak të gabimeve në certifikatat mbi lajmërimin e faktit të vdekjes nga zyrat e gjendjes civile dhe mos raportimi i tyre në Agjencionin për Regjistrim Civil, u bë e ditur se Ministria e Punëve të Brendshme që nga fillimi i këtij viti ka filluar skanimin dhe digjitalizimin e librave amë të të vdekurve.
Po ashtu në këtë takim u bë e ditur se skanimi dhe digjitalizimi i librave amë, tashmë është në prag të përfundimit dhe se deri në fund të muajit prill, Ministria e Punëve të Brendshme është duke bërë kontrollimin e këtyre të dhënave me të dhënat që përmban Regjistri Qendror Civil, në mënyrë që ti largojë këtë emra. Kjo do ta përmirësonte në masë të madhe Listën e Votuesve.
Nga ky proces, Ministria e Punëve të Brendshme do të identifikojë dhe largojë rreth njëzet mijë (20 000) emra të personave të vdekur nga Regjistri Qendror Civil, ku pastaj kjo do të reflektohet edhe në Listës e Votuesve.
Me këtë rast, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Ministria e Punëve të Brendshme u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve, të cilët nuk i kanë lajmëruar familjarët e tyre të vdekur, që këtë ta bëjnë sa më parë, në mënyrë që kjo do ti ndihmojë institucioneve përkatëse, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ti larojnë këta emra nga Regjistri Qendror Civil, përkatësisht Lista e Votuesve.