Mbahet takim i përbashkët i KGJK-së dhe KPK-së
Prishtinë, 25 shkurt – Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës kanë mbajtur një takim të përbashkët me qëllim të fuqizimit të komunikimit dhe koordinimit të aktiviteteve të interesit të përbashkët.
Në fillim të këtij takimi, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj dhe ai i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, shprehën nevojën dhe vullnetin për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy Këshillave, me qëllim, siç thanë dy kryesuesit, të koordinimit të aktiviteteve të përbashkëta dhe fuqizimit të të dyja sistemeve - atij gjyqësor dhe prokurorial. Për fuqizimin dhe rëndësinë e bashkëpunimit foli edhe Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci.
Diskutimi në këtë takim ka filluar me vlerësimin e dy Këshillave për koordinim më të mirë të gjykatave dhe prokurorive për ngritjen e efikasitetit në mbajtjen e seancave gjyqësore dhe mosdështimin e tyre.
Gjatë këtij takimi janë diskutuar edhe tema të tjera, siç janë: rishikimi i Ligjit për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, lidhja e një memorandumi në mes të dy këshillave për aktivitetet e përbashkëta, që ndërlidhet me Strategjinë për rishikim funksional.
Po ashtu, në këtë takim të përbashkët është prezantuar edhe Raporti i vlerësimit nga projekti EUKOJUST për teknologjinë informative në sistemin prokurorial dhe atë gjyqësor.
Në fund të takimit, përfaqësuesit e dy Këshillave janë pajtuar për nënshkrimin e Memorandumit për fazën e katërt të Projektit TIK-SMIL dhe janë pajtuar për letrën e përbashkët që do t’i dërgohet Projektit EUKOJUST për lokacionin e Qendrës së Rimëkëmbjes për Teknologji Informative.